Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin John Hopkins në SHBA sot për emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova tha se beson që raportet e kryeministrit Albin Kurti me administratën Trump do të ndikohen nga raportet e kaluara të tij me Richard Grenell, gjatë mandatit të parë të tij.
Ai u shpreh se Kurti do ta kujtojë se si u rrëzua Qeveria Kurti 1 dhe presionin që i është bërë, por sipas tij, këtë do ta rikujtojnë edhe zyrtarët e administratës Trump, përcjell Klankosova.tv.
“A besoj unë se raportet e kryeministrit Kurti me administratën Trump do të ndikohen nga raportet e kaluara të tij me Richard Grenell, gjatë mandatit të parë të Trump, po, përgjigja e qartë, është po, e besoj”.
“Kryeministri Kurti do të kujtojë se si u rrëzua Qeveria Kurti 1, do të kujtojë presionin që i është bërë, por këtë do ta rikujtojnë edhe zyrtarët e administratës Trump”, është shprehur ai.
Joseph tha se Kurti do të përballet me zgjedhje të vështira, në të gjitha çështjet që ka në tavolinë, vështirësi që sipas tij, del se i ka pasur edhe në administratën Biden.
“Në anën tjetër po mendoj se Kurti do të përballet me zgjedhje të vështira, në të gjitha çështjet që ka në tavolinë, vështirësi që del se i ka pasur edhe në administratën Biden dhe kjo është pyetje, rreziku që ndërmori kryeministri Kurti, kur ndërkohë që ambasadori Hovenier po përpiqej të ndihmonte Kosovën në disa forma, kryeministri zgjidhte veprime të njëanshme, madje edhe pas Banjskës, kur ambasadori Hovenier e shënjestëronte Serbinë dhe fliste me zë të lartë, e sa e rrezikshme ishte gjendja, ishte shumë miqësor, por Kurti zgjodhi të mos punojë ngushtë me të dhe e humbi mundësinë, prandaj edhe tani do të përballet me sfida”, u shpreh tutje Joseph.