Profesori amerikan, Edward Joseph, ka komentuar takimin e presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq.
Ai thotë se Zelensky duhet të bëhet gati që të dëgjojë marrëzira prej Vuçiqit për “neutralitetin” e vendit të tij, duke thënë se neutraliteti i rremë është edhe më i keq se vetë neutraliteti.
“Vuçiq thotë se do të ketë një takim kokë me kokë me Zelenskyn të martën në Athinë. President Zelenskyy, jini të gatshëm të dëgjoni shumë marrëzi për “neutralitetin” serb mbi agresionin rus kundër vendit tuaj. Siç e dini, e vetmja gjë më e keqe se neutraliteti është neutraliteti i rremë”, ka shkruar Josepsh.
Ai thotë se Serbia jo vetëm që refuzon të zbatojë sanksione ndaj Rusisë, por Beogradi shpërfill hapur politikën e BE-së duke mirëpritur RT dhe Sputnik, duke përkrahur narrativat pro-ruse në të gjithë rajonin.
Po ashtu, Joseph përmendi edhe dërgimin e armëve në Rusi nga Serbia.
“Vuçiq dhe Vulin e dinë me siguri se sa municione serbe shkojnë në Ukrainë. A e dini se sa municione serbe shkojnë në Rusi?”.
Profesori amerikan thotë se votat në OKB që dënonin agresionin rus në Ukrainë ishin vetëm për arsye të Kosovës dhe jo për t’u solidarizuar me Ukrainën.
“Presidenti dhe kryeministrja serbe pranojnë se votat për rezolutat e OKB-së që dënojnë Rusinë kanë të bëjnë me ruajtjen e pretendimit të Serbisë ndaj Kosovës – jo solidaritetin me Ukrainën”.
Ai foli edhe për marrëdhëniet energjetike të Serbisë me Rusinë.
“Serbia ka dyfishuar naftën ruse, duke ndërtuar një tubacion të ri me Hungarinë. Nëse vendi juaj, Ukraina, përfundon tranzitin e gazit rus në Hungari, Beogradi do ta zëvendësojë atë me gazin rus. Shiko? Serbia ruan marrëdhëniet e saj energjetike me Rusinë…”.
Joseph nxori në pah edhe “neutralitetin” e Vuçiqit në raport me Rusinë.
“Një “neutral” do të kishte qëndruar i qetë gjatë kryengritjes së Wagnerit; në vend të kësaj, Vuçiq përshëndeti “reagimin e vendosur, të qartë dhe me vullnet të fortë” të Putinit, duke pretenduar se vetëm Putin mund të kishte pasur sukses. Nuk është çudi që Rusia gëzon mbështetje në Serbi”.
Joseph në fund pati edhe një thirrje për presidentin ukrainas.
“President Zelensky, mos bini në grackën e përpjekjes për të joshur Vuçiqin. Marrëdhënia e tij me Rusinë – dhe fuqia e tij – mbështetet në izolimin e Kosovës. Ne e dimë këtë nga akuzat e rralla dhe të mprehta midis Beogradit dhe Moskës për lëvizjen përpara në Kosovë”.