1.3 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Buy now

spot_img

Joseph: Beogradi duhet të festojë, anëtarësimi i Kosovës në KiE çon drejt Asociacionit

Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, sot ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Këtë lajm, analisti amerikan dhe ligjëruesi në Universitetin “Johns Hopkins”, Edward Joseph e ka komentuar duke thënë se vota pro anëtarësimit të Kosovës, i afron serbët drejt Asociacionit të shumëkërkuar.

“Votimi i KiE-së nxit perspektivat për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Implementimi (i Asociacionit) do ta bëjë të pashmangshëm anëtarësimin e Kosovës në KiE, duke u dhënë serbëve qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Si dhe, liberalizimi i vizave më në fund do t’u mundësojë serbëve lëvizje të lirë në BE”, ka shkruar Joseph në Twitter.

Ai ka kritikuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe diplomacinë serbe për përpjekjet e pandalura që ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë evropiane.

“Beogradi do të duhej ta festojë votën pro në KiE dhe liberalizimin e vizave, në vend se t’i sabotojë zgjedhjet në veri të Kosovës. Në fund të fundit, serbët e Kosovës janë përfituesit më të mëdhenj”, ka vlerësuar ai.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022.

Këshilli i Evropës, organizata më e vjetër evropiane që merret me zhvillimin e demokracisë dhe të drejtat e njeriut, ka procedura të caktuara për pranimin e anëtarëve të rinj. Këto procedura kalojnë përmes Këshillit të Ministrave dhe Asamblesë Parlamentare, ku marrin pjesë deputetët nga parlamentet e shteteve anëtare.

Lidhur me këtë vendim pati 33 vota për, shtatë kundër dhe pesë abstenime.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img