Site icon PrishtinaPress

Jeta në mes të braktisjes dhe “shtëpisë së dytë”

Në Shtëpinë e të Moshuarve pa Përkujdesje në Prishtinë, jetojnë 64 banorë të të gjitha nacionaliteteve, përfshirë edhe banorë të komunitetit serb.

Ata shprehen të kënaqur me kushtet që u ofrohen, ndërsa jetojnë me mall për të kaluarën.

Një nga 64 banoret e Shtëpisë se të Moshuarve në Prishtinë, është Jakute Turjaka nga Peja.

Në mungesë të përkujdesjes nga vëllai dhe nipat e saj,  Jakutja thotë  se ishte detyruar që të kërkonte strehim në këtë shtëpi.

“Tani po me duket se që 15 vjet jam këtu, dhe kjo me duket si shtëpia ime. E kemi terapinë këtu, pimë kafe, nganjëherë çaj. E kam vëllanë edhe nipat ne Gjakovë, por…..”

Po ashtu edhe disa nga banoret e tjerë shpjegojnë se si e kalojnë kohën dhe sa janë të kënaqur më shërbimet që ofrohen për ta:

“Qe 11 vjet kam ardhur me burrë këtu, burri me ka vdekur para tri vite e unë kam mbet këtu. Shumë mirë kujdesen, me të thënë të drejtën s’kam pasur ku të shkojë, se as fëmijë s’kam hiç, e kam ardhur këtu, e kjo po me duket si shtëpia ime. S’ka më mirë, tash mbasi kam ardhur këtu… është mirë shumë.

Momentalisht numri i banorëve në këtë shtëpi është 64, tha për Radio Kosovën Raze Alickaj, drejtoreshë në Shtëpinë e të Moshuarve pa Përkujdesje në Prishtinë.

“Për momentin kemi hapësirë, sepse numri është 64 por deri në 100 kemi hapësirë duke llogarit me shtretër. Ka edhe serbë, pesë i kemi për momentin, janë edhe disa të nacionaliteteve të tjera”.

Alickaj tha për Radio Kosovën se ka pasur raste kur pleqtë kanë krijuar afërsi apo lidhje dashurie, të cilët pastaj kanë gjetur mbështetjen edhe  nga ana a stafit.

“Kemi pasur edhe rast lidhjeje në mes të dy gjinive. Kështu që ne ua kemi mundësuar të banojnë me një dhomë bashkë. Mirëpo ato çifte nuk janë më, sepse njëri është transferuar para disa viteve pasi gruaja i pat vdekur. E tani kohëve të fundit, nuk kemi risi të tilla”.

“Kushti që duhet plotësuar për të qenë banor i kësaj shtëpie është mosha  65 vjet, të jenë pa përkujdesje familjare, si dhe të kenë certifikatë nga profesionistet shëndetësorë, që nuk kanë sëmundje infektive dhe psikike”, tha Alickaj.

Sipas saj, kërkesat janë të mëdha, por ka shumë që nuk i plotësojnë kushtet e përmendura.

Exit mobile version