Shefi pro rus i Agjencisë Serbe të Zbulimit (BIA) Aleksandar Vulin, dha dorëheqje të premten, katër muaj pasi u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara, për përfshirje në veprimtari korruptive dhe destabilizuese, që dëmtojnë sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor dhe për ndihmë Moskës në veprimtaritë keqdashëse dhe për lidhje me një tregtar armësh dhe një rrjet të trafikut të drogës.
Në tekstin e dorëheqjes së tij shpërndarë medieve serbe ai tha se “Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po e kërkojnë kokën time si parakusht për të mos vendosur sanksione ndaj Serbisë. Unë nuk jam shkaktar i shantazheve dhe trysnisë ndaj Serbisë dhe botës serbe, por nuk do ta lejojë veten të jem shkaktar i shantazheve dhe trysnisë ndaj Serbisë dhe botës serbe”, raporton VOA.
Më tej ai tha se presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe Serbia po përballen me kërcënime dhe shantazhe që mund të krahasohen vetëm me ultimatumin austro-hungarez të vitit 1914, duke ju referuar ngjarjeve që çuan në Luftën e Parë Botërore.
Në muajin korrik Shtetet e Bashkuara thanë se veprimet e Vulinit kanë çuar përpara korrupsionin brenda institucioneve qeverisëse të Serbisë. Këto veprime përfshijnë shfrytëzimin e autoritetit të tij për përfitime personale dhe përfshirjen në një rrjet të trafikut të drogës.
Ai, thuhej në vendimin për sanksionimin e tij, ka përdorur postet e tij publike për të mbështetur Rusinë, duke lehtësuar veprimtaritë keqdashëse të Rusisë që dëmtojnë sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor dhe duke i ofruar Rusisë një platformë për të çuar më tej ndikimin e saj në rajon.
Aleksandar Vulin, një politikan pro rus ka shërbyer si ministër i Brendshëm i Serbisë në qeverinë e mëparshme dhe mbante postin e ministrit të Mbrojtjes më herët. Asnjë nga këto institucione qeveritare serbe nuk është objektiv i sanksioneve të sotme amerikane.
Në dhjetor të vitit 2022 ai mori detyrën e drejtorit Agjencisë serbe të zbulimit.
Si ministër i Brendshëm i Serbisë, Vulin vizitoi Moskën në muajin gusht të vitit të kaluar, një vizitë e rrallë nga një zyrtar shtetëror evropian, që nënvizoi refuzimin e Beogradit për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak te agresionit të saj në Ukrainë.
Serbia, e cila kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, prej vitesh po shmanget nga rruga e saj drejt BE-së duke u orientuar drejt aleatit tradicional sllav, Rusisë, si dhe Kinës.
Aleksandar Vulin ka thënë se Serbia duhet të braktisë përpjekjet e saj të anëtarësimit në BE dhe t’i drejtohet Moskës, duke i sulmuar shpesh shtetet fqinje të Serbisë dhe udhëheqësit e tyre dhe duke i quajtur me emra përçmues. Atij i është ndaluar hyrja në Kroaci, anëtare e BE-së.
Ai e ka mbrojtur krijimin e të ashtuquajturës “Bota Serbe” – një kopje e “Botës Ruse”, që do të bashkonte të gjithë serbët në Ballkan nën një flamur të udhëhequr nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç.
Ai iu referua kësaj ideje edhe në tekstin e dorëheqjes.