3.4 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

“Jemi shumë rehat me ato që i kërkojmë Kosovës, s’është presion”, të gjitha deklaratat e Hovenier gjatë takimit me gazetarë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka pritur sot në ambasadë disa përfaqësues të mediave kosovare, përfshirë Gazetën Express, me të cilët ka biseduar për raportin e SHBA-së me Kosovën, situatën në veri, dialogun për normalizim me Serbinë dhe Marrëveshjen e Ohrit dhe për aktualitetin politik.

Hovenier ka thënë se si ambasador i SHBA-së ndjehet jashtëzakonisht komod për kërkesat që SHBA-ja është duke ia bërë Qeverisë së Kosovës dhe popullit të Kosovës. Diplomati amerikan ka thënë se kërkesat ndaj Kosovës s’janë presion, por janë të tilla që ndihmojnë realizimin e synimeve strategjike të SHBA-së sa i përket Kosovës.

Ai ka thënë se SHBA-ja dëshiron që ta shoh Kosovën teksa e merr vendin e vet në strukturat evropiane dhe euro-atlantike dhe thotë se për këtë Ëashingtoni zyrtar punon shumë, megjithatë thekson sa pa avancim në dialogun e Brukselit, diçka e tillë nuk do të jetë e mundur.

Numri një i ambasadës amerikane ka kërkuar që Kosova të procedojë me themelimin e Asociacionit, duke përsëritur qëndrimin amerikan për atë se si duhet duket Asociacioni. Ai ka përmendur gjithashtu edhe nevojën për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit në plotni nga Kosova dhe Serbia.

Kur është pyetur për raportin në mes të SHBA-së dhe Kosovës pas acarimit si rezultat i ngjarjeve në Veri, Hovenier e ka përshkruar atë si “miks”, meqë ka thënë se ka çështje në të cilat bashkëpunojnë ngushtë me Qeverinë e Kosovës dhe çështje për të cilat ekzistojnë dallime.

Ai ka thënë se nganjëherë ka pasoja kur nuk dëgjohen apo implementohen plotësisht këshillat dhe sugjerimet amerikane. Këtë e ka thënë duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ngjarjeve në veri.

“Nganjëherë ka konsekuenca ndaj tij kur nuk është ai nivel i koordnimit apo bashkëpunimit dhe kur këshillat tona, sipas perspektivës sonë, nuk pranohen apo nuk veprohet sipas tyre”, ka thënë ai.

Kur ka folur për veriun, de-eskalimin dhe organizimin e zgjedhjeve të reja për 4 komunat, Hovenier ka thënë se është çështje e brendshme e Kosovës nëse dorëhiqen kryetarët apo nëse organizohet peticion. Ai ka thënë se ajo çfarë i intereson SHBA-së është që të ecet përpara me procesin, meqë mbajtja e zgjedhjeve të reja është konsideruar nga BE-ja si një hap që dërgon në de-eskalim.

I pyetur nëse pret që zgjedhjet në veri të mbahen shumë shpejt, Hovenier ka thënë se s’mund të flasë për diçka të tillë meqë s’është votues në Kosovë.

Ai përveç tjerash në këtë intervistë ka folur edhe për vizitën e shumë komentuar të kryeministrit Albin Kurti në Maqedoninë e Veriut dhe reagimeve nga Pendarovski e Vuçiq, se Kurti në Tetovë ka promovuar Shqipërinë e Madhe.

Hovenier ka thënë se SHBA-ja nuk mbështet as Shqipërinë e Madhe dhe as Serbinë e Madhe

“Mendoj se të gjithë ne kemi parë një numër të deklaratave publike për këtë vizitë dhe ngjarjet në Maqedoninë e Veriut që lidhen me vizitën e Kryeministrit Kurti. Nuk e di nëse është e përshtatshme që unë të flas për specifikat e vizitës. Por kam parë që në komentet publike ka brengosje për idenë e Shqipërisë së Madhe, si diçka që që është diskutuar në kontekst të kësaj vizite. Dua ta ritheksoj pozicionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë çështje. Është shumë me rëndësi dhe dua ta lexojë fjalë për fjalë qëndrimin e qeverisë amerikane për këtë, që ta bëjë të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e mbështesin Shqipërinë e Madhe dhe nuk e mbështesim as Serbinë e Madhe” ka thënë Ambasadori amerikan.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e mbështesin rivizatimin e kufijve shtetërorë në rajonin e Ballkanit. Çdo përpejekje për të bërë diçka të tillë do të ishte kundërproduktive dhe destabilizuese . SHBA’të të mbështesin fuqishëm integritetin territorial të të gjitha vendeve në Ballkanin Perëndimor përfshirë Kosovën” ka shtuar tutje Hovenier.

Ambasadori amerikan ka folur edhe për kufizimet ndaj mallrave serbe, duke potencuar se pret veprime nga Qeveria e Kosovës që promovojnë lirinë e mallrave dhe jo të kundërtën.

Gjithashtu ka thënë se pret nga Qeveria e Kosovës që të mos e kushtëzojë heqjen e kufizimeve ndaj mallrave serbe me heqjen e masave nga Bashkimi Evropian.

Hovenier përmendi edhe çështjen e furnizimit me barna dhe nëse edhe këto produkte janë të ndaluara të hyjnë në Kosovë. Ai tha se ka parë disa lajme në media për këtë dhe se janë interesuar me seriozitet për të parë si qëndron situata.

“Ajo që është e ndaluar tani janë mallrat e prodhuara nga Serbia, që në njëfarë mënyrë i ndikojnë furnizimin me barna dhe pajisje medicinale. Kjo është një gjë serioze dhe e kemi marrë shumë seriozisht, kështu që kemi folë me zyrtarët kosovarë dhe homologët e tyre serbë për të na ndihmuar që të kuptojmë situatën dhe më duhet të jem i qartë se siç e kuptojmë ne se barnat dhe furnizimi me medikamente importohen nga Serbia sot sikurse ka qenë para datës kur janë marrë masat [nga Qeveria e Kosovës]”.

Për këtë, Hovenier tha se po tentohet që të keqinterpretohet situata.

Diplomati amerikan në këtë bashkëbisedim me gazetarët është pyetur edhe për ndikimin që mund të ketë James O’Brien nëse do të zgjidhet në pozitën e ndihmëssekretarit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike. Hovenier ka thënë se s’është praktikë të komentohet përpara se ai të emërohet në atë pozitë, megjithatë ka shtuar se O’Brien ka njohuri të konsiderueshme për Kosovën dhe Serbinë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img