Site icon PrishtinaPress

Javën tjetër publikohet deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë publik

Të martën ka përfunduar afati për deklarimin e pasurisë për zyrtarët e lartë publik.

Procesi për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik që filloi më 1 mars, ishte në përputhje për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik pranë Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK).

Për këtë proces, drejtori i AKK-së, Shaip Havolli ka thënë në një prononcim për Indeksonline se ka akoma punë deri në daljen me rezultate finale.

“Ne po mundohemi që ti publikojmë sot të dhënat në ueb faqe por është pak më problem sepse ende jemi duke i shikuar formularët e deklarimeve që janë dorëzuar më postë dhe në mënyrë elektronike (me e-mail)”, ka thënë Havolli.

Sipas tij, kur të mblidhen të dhënat do të kuptohet sa zyrtarë të lartë kanë deklaruar të ardhurat.

“Kështu që derisa ti grumbullojmë ato, ne nuk mundemi me dal me tregu se sa janë deklaruar, cilët janë ata që e kanë deklaruar e që janë krejt sipas afatit, pra ne po mundohemi t’i publikojmë sot, por problem është dhe me shumë gjasë do të bëhet javën e ardhshme”, ka përfunduar Havolli.

Në rast të mosrespektimit të ligjit për deklarimin e pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publik, Agjencia kundër Korrupsionit do të ushtrojë kallëzim penal në pajtim me nenin 437 të Kodit Penal.

Exit mobile version