Site icon PrishtinaPress

Jashari: Skenderaj dhe Drenica ishin dhe mbetën çerdhja e lirisë

Komuna e Skenderajt sot po shënon 20 vjetorin e çlirimit të saj nga forcat serbe.

Në kuadër të shumë aktiviteteve për manifestim të Ditës së Çlirimit u mbajt edhe seancë solemne e Kuvendit Komunal të Skenderajt, e cila nisi me një minutë heshtje në nderim për të gjithë ata që kanë rënë për lirinë e Kosovës.Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari tha se Rruga drejtë lirisë ishte e vështirë dhe kontribut dhanë jo vetëm familja Jashari por edhe të gjitha familjet tjera, pasi që Drenica dhe Skenderaj janë çerdhja e lirisë.Sipas tij kryefjala e historisë të lavdishme, e cila i vuri kurorë sakrificave shekullore, është Shaban, Adem e Hamëz Jashari e shumë burra e gra të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.I pari i Skenderajt tha se lirisë së Kosovës i kontribuuan edhe shumë shtete mike të Kosovës, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleanca e NATO-s.

Jashari në këtë seancë solemne tha se si kryetar i Skenderajt do të vazhdojë të zhvillojë jetën dhe mirëqenien  për çdo qytetar të kësaj komune, e me fokus të veçantë do krijojë hapësira për të rinjët.Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Skenderajt, Fatbardha Haliti tha se në qershorin e vitit 1999 bijtë e bijat e Kosovës dolën rrugëve duke triumfuar për lirinë e fituar.

Ajo tha se qershori do kujtohet gjithmonë si muaji i lirisë, kurse marsi do kujtohet në histori si muaj i sakrificës.Në këtë seancë solemne morën pjesë familjarë të dëshmorëve e ushtarë të KFOR-it.Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari i shoqëruar nga drejtues të drejtorive komunale, asamblistë e qytetarë gjatë ditës së sotme kanë bërë homazhe tek shtatorja e Komandantit Legjendar Adem Jashari në qendër të qytetit, në Kompleksin Memorial në Prekaz dhe tek varrezat e dëshmorëve në Marinë. Manifestimi qendror për shënim të 20 vjetorit të çlirimit të Skenderajt do mbahet në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj.

Exit mobile version