1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Jashari: Procesi i verifikimit të veteranëve s’mund të bëhet sa herë i teket dikujt

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së po kundërshton procesin e riverifikimit, përmes ligjit të ri. Pa përfundimin e procesit gjyqësor, Xhavit Jashari thekson se askush nuk ka të drejtë të krijojë komisione të tjera. Madje, siç thotë ai, kryeministri Albin Kurti nuk duhet ta luajë rolin e prokurorit e as të gjykatësit. Jashari pohon se ka mospajtime me organizatat e dala nga lufta, sa i takon ligjit të ri vetëm për veteranët, që nënkupton riverifikimin e statusit të tyre.

Një vit më parë, ka kaluar në lexim të parë projektligji në parim për pagën minimale prej 264 euro bruto. Që nga ajo kohë, ka mbetur i pamiratuar në lexim të dytë, për shkak të kërkesave të veteranëve për përfshirje në këtë projektligj. Në të njëjtën kohë, janë organizuar edhe protesta nga veteranët pranë objektit të Kuvendit të Kosovës.

Xhavit Jashari nga Organizatat e Veteranëve të Luftës së UÇK-së deklaron për KosovaPress se i vetmi institucion që mund të bëjë riverifikimin janë komandantët dhe zingjiri komandues.

“Askush nuk i frikohet riverifikimit, por kryeministri duhet ta luajë rolin e kryeministrit dhe kur hyn në tema të tilla, me të vërtetë unë atëherë nuk po e di a është kryeministër, prokuror, gjykatës. Nuk duhet të përzihet, ju tani e dini që ne jemi në një proces gjyqësor që për shkak të verifikimit të veteranëve dhe pa përfundimin e këtij procesi nuk ka të drejtë askush që të krijojë komisione të tjera dhe duhet ta dijë edhe kryeministri dhe çdo kush që i vetmi institucion që mund të bëjë verifikimin janë komandantët e zonave me zingjirin komandues. Pra, ky verifikim është bërë nga komandantët dhe zingjiri komandues dhe ka dalë ai numër, i cili tani edhe po kontestohet dhe jemi në një proces gjyqësor”, thotë Jashari.

Për më tepër, ai thekson se procesi që përfshin verifikimin e statusit të veteranëve, nuk mund të bëhet “sa herë i teket” politikës.

“Kjo nuk mund të bëhet sa herë t’i teket në aspekte politike dikujt që të krijohen komisione dhe të vazhdohet tutje të diskriminohen këto kategori. Mendoj që edhe nëse krijohet, janë dy organe kompetente. Janë komandantët me zingjirin komandues dhe në rast se ka shtim të numrit apo mohim të drejtës së dikujt që ka qenë pjesë e luftës së UÇK-së nga këto kategori, është organi përfundimtar-gjykata, e cila vendos dhe i rregullon këto çështje sipas ligjeve në fuqi”, shprehet Jashari për KP, transmeton Klankosova.tv.

Përfaqësuesi i OVL-UÇK-së shton se ka qenë edhe kërkesë e tyre në fillim që të bëhet verifikimi i veteranëve, meqë nuk ka pasur shifra të sakta.

Ndërsa, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu shprehet se veteranët e luftës së UÇK-së duhet të trajtohen dinjitetshëm.

“Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të trajtohen me dinjitet. Se a janë duke u trajtuar me dinjitet? Unë them me plot bindje që jo, vet fakti që sot kemi veteranë, invalidë të UÇK-së, të cilët nuk kanë mundësi t’i paguajnë protezat për invaliditetin e tyre gjatë luftës, nga plagët që kanë marrë, kjo tregon për gjendjen se si po trajtohen veteranët. Është momenti i fundit që veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të trajtohen dinjitetshëm me ligj”, shton Musliu.

Sipas saj, kryeministri Albin Kurti duhet të bisedojë me shoqatat e dala nga lufta që të ketë një zgjidhje për këtë kategori.

Shefi i ekzekutivit ka pranuar ditë më parë se ka mospajtime me Organizatën e Veteranëve të Luftës për rregullimin e statusit të tyre. Ai ka përsëritur qëndrimin përmes hartimit të një ligji të ri të nis procesi për verifikimin për veteranët.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img