Site icon PrishtinaPress

Jashari i reagon Lushtakut: Jo njerëzore shfrytëzimi i situatës pandemike për poena politik

Kreu i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar ndaj PDK-së, pasi janë shpërndarë disa fotografi në këtë komunë duke dhënë ndihma ish kryetari Sami Lushtaku.

Ajo çka bie në sy është se në pakot me gjëra ushqimore është vendosur mbishkrimi PDK dhe dega Skenderaj.

Përmes një shkrimi në Facebook, Jashari e ka quajtur jo njerëzore shfrytëzimin e situatës pandemike për poena politik.

Ai i është drejtuar Lushtakut duke i thënë “bashkëluftëtaret tuaj Sami nuk dhanë jetën për këtë vend që t;i të luash me ndjenjat e integritetin e të varfërve, t’i imponosh atyre përkrahjen për partinë që të marrin pako ushqimore”.

Postimi i plotë

E dhimbshme!

Të shfrytëzohet situata emergjente, të ndihmohen qytetarët duke u thirrë në emër të partisë, për poena politik është e ulët, e dhimbshme dhe jo njerëzore.

Kjo është e pafalshme dhe këtë nuk e merituan qytetarët e komunës që unë udhëheqë.

Bashkëluftetarët tuaj Sami nuk dhanë jetën për këtë vend që ti të luash me ndjenjat e integritetin e të varfërve, t’i imponosh atyre përkrahjen për partinë që të marrin pako ushqimore.

Letra me emër të partisë që përfaqëson e vendosur në pako ushqimore tregon më së miri për qëllimin dashakeq që keni pasur për t’i ndihmuar këto familje.

Edhe në këtë situatë emergjente u kujtove e zgjodhe të luash me fatin e të varfërve e të bësh fushatë me ta.

E tmerrshme!

Edhe në luftë paske ndihmuar qytetarët si duket po me qëllime të njejta fyese e denigruese.

Dje kemi marrë nga qytetarë e biznese shqetësime të tilla që ju dhe njerëzit e juaj po i kërkoni në emër të partisë donacione për t’i shpërndarë tek njerëzit në nevojë duke ju bërë fushatë, andaj edhe si shtab emergjent dolëm me reagim dhe kërkuam që të mos shpërndani ndihma për qëllime e poena politik.

E kemi thënë dhe po e them prap, i mirëpresim dhe i falënderojmë të gjithë ata që kanë vullnetin dhe shprehin dëshirën të japin ndihmë qytetarëve në nevojë, por këtë ta bëjnë përmes shtabit emergjent, gjegjësisht Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, e cila i posedon të gjitha listat e familjeve në nevojë, duke përfshirë edhe familjet në asistencë sociale.

Kjo me qëllim që të përfshihen të gjitha familjet në nevojë, të mbahen evidenca për secilën familje përfituese, që të evitojmë mundësitë që familjet në nevojë të mos përfshihen në listën e donatorëve, pakot ushqimore t’i shpërndahen nevojtarëve tek shtëpitë e tyre duke respektuar udhëzimet e IKSHP-së, për përdorimin e masave mbrojtëse si dhe duke ruajtur integritetin e familjeve në nevojë.

Për çdo përkrahje që deri sot kemi pranuar për familjet në nevojë, ne i kemi publikuar emrat e donatorëve dhe kemi falënderuar ata, njejtë do të kishim vepruar edhe me ty, Sami, por JO, ju zgjodhët që në këtë situatë të rëndë të bëni politikë dhe fushatë me ata që të vetmen brengë e kanë si të sigurojnë kafshatën e gojës.

Pos kësaj ju nuk keni respektuar as masat mbrojtëse për të evituar përhapjen e virusit tek ata që sot i keni takuar e jeni përshendetur dorë me dorë, ata i keni rrezikuar dhe mbi të gjitha për fat të keq i keni treguar që për të marrë ndihma duhet të votojnë për partinë tuaj. Kjo është fytyra juaj e vertetë që qytetarët panë, dhe kuptuan sot.

Në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë nuk do të tolerojmë që individ apo grupe të caktuara të keqpërdorin situatën e krijuar për poena politik apo ndonjë qëllim tjetër.

Qytetarë të dashur, ju e dini që si komunë bashkë edhe me donatorët kemi shpërndarë ndihma për ju, do të shpërndajmë edhe më tej por gjithmonë me qëllimin e vetëm që t’iu ndihmojmë në tejkalimin e kësaj situatë.

Mos lejoni që individ të tillë të ju denigrojnë e manipulojnë në emër të një pakoje ushqimore.

Unë e di që ju nuk keni mbetur pa punë e pa të ardhura me dëshirën tuaj, por që këta që sot po tentojnë të luajnë me fatin tuaj nuk kanë pasur qëllimin që të krijojnë vende punë për ju, por në vend të kësaj ata kanë debuar investitorë nga komuna jonë sepse qëllimi i tyre ishte që ata të pasurohen.

Personi që sot tentoi t’iu vijë në ndihmë qytetarëve e kishte mundësinë sa ishte kryetar i komunës së Skenderajt të punonte, që sot këto familje të mos kenë nevojë që dikush t’iu japë ndihmë në emër të partisë e duke bërë fushatë.

Kjo nuk është Kosova që flijuan jetën dëshmorët e martirët e lirisë!

E tmerrshme!

Exit mobile version