Site icon PrishtinaPress

Jasharaj: Nuk kam pështymë sa e meriton ta pështyj VV-në

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka reaguar pas publikimit të aferës ‘Zdravo’ ku është e përfshirë shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila dhe nënkryetari i Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Jasharaj ka thënë se nuk ka pështymë ‘sa e meriton ta pështyjë VV-në’, teksa e ka cilësuar si heroizëm veprimin e gazetarit, Berat Buzhala, i cili ka bërë publikimin e përgjimeve.

“Nuk kam pështymë sa e meriton ta pështyj VV-në. Kjo që është duke bërë Berat Buzhala është heroizëm dhe ai është pishtar që bën dritë në gjithë errësirën e krijuar nga përfaqësues të një pushteti që tenton ta shuajë krenarinë për njerëzit e këtij trualli që në udhëheqjen e urtë të Ibrahim Rugovës dhe nën udhëheqjen e emrave krenarë në luftën e lavdishme të UÇK-së e me mbështetjen e miqve të vërtetë realizuan ëndrrën e brezave për liri dhe që Kosova të bëhet shtet. Adem Jashari, Ramush Haradinaj, Hashim Thaçi, Fatmir Limaj dhe gjithë ata eprorë e ushtarë të UÇK-së ia kthyen kahjen historisë bashkë me ne mësuesit e këngëtarët që pendën e këngën e kishim armë në rrugëtimin e kombit për liri”, ka thënë Jasharaj.

Ai ka thënë se kjo parti në pushtet përmes “më të poshtrit në VV” janë munduar ta nxjerrnin si tradhtar që po udhëheq arsimin në një grevë, duke thënë se ajo ishte dita më e rëndë në jetën e tij.

 “Me plot sakrifica për 20 vite ndërtuam shkolla, rrugë, autostrada, ushtri, ligje, stafe profesionale në administratë dhe polici, që meritonin respekt, por që këta që janë tani në pushtet i shanin, i pështyenin e i gjakosnin. Kjo parti në pushtet përmes më të poshtrit në VV u mundua të më nxjerr si tradhtar që po udhëheq arsimin në një grevë. Atë ditë, që ishte më e rënda në jetën time, qava me lot dhe pësova goditje të rëndë në shëndetin tim e ai i paftyrë (Elvis Hoxha i VV-së), siç janë shumica në partinë e tij, doli e kërkoi falje të pjesshme”, shkroi Jasharaj.

Kreu i SBASHK-ut tutje ka thënë se kjo qeveri nuk ndërtoi asnjë gjë, por rrënoi çdo gjë.

“Atëherë edhe heshta ndaj tij dhe ndaj ushtrisë në Facebook, kësaj ushtrie të poshtër të Albinit, por ka Zot dhe e vërteta doli sheshit. Unë dhe shumë nga ne që kemi ngritur zërin kundër kësaj Qeverie, që nuk ndërtoi gjë, por rrënon çdo gjë, e që të paftyrët, që nga qeveria e deri te ushtarët e tyre në Facebook e disa analistë pa as edhe një vlerë njerëzore, që drejtuan pështymë, fyerje e ofendime se jemi me Serbinë, Rusinë e me grupe kriminale, tani pas këtyre bisedave të zonjës Kusari Lila, që i dëgjoi krejt bota, po ua them se as unë e as tërë familja e fisi im bashkë me punëtorët e arsimit nuk kemi pështymë aq sa e meritoni ju, por mbajeni në mend se pështyma e të vërtetës dhe e historisë do bie mbi ju”, ka përfunduar ai.

Exit mobile version