Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në rajon, Dushan Janjiq, në një intervistë të shkurtër për Gazetën Express ka folur për raportimin ditë më parë në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, ku Derek Chollet dhe Gabriel Escobar iu përgjigjen pyetjeve të senatorëve rreth situatës së sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe procesit të dialogut Kosovë-Serbi.
Në raportimin e dy zyrtarëve të lartë të DASH, temë diskutimi ka qenë edhe çështja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kur ka folur Escobar për atë se si SHBA e sheh Asociacionin, ka bërë një ndarje me “katër komunave” dhe “të tjerave që dëshirojnë të bashkohen”, shkruan Express.
Por a nënkupton kjo deklaratë se po planifikohet një Asociacion vetëm për Veriun? Dushan Janjiq thotë se ajo çfarë ka deklaruar Gabriel Escobar është interpretimi i drejt i marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 dhe është shumë afër interpretimit të planit të Ahtisarit për Asociacionin ku përmenden 4 komuna si nismëtare dhe të tjerat që dëshirojnë të bashkohen.
“Qëndrimi për të cilin ju po flisni është interpretimi i drejt i marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013. Është shumë afër interpretimit të planit të Ahtisarit për Asociacionin, që është se 4 komunat janë iniciatorë dhe të tjerat mund të bashkohen. Kjo është e para”, ka thënë Janjiq për Express.
Janjiq tutje thotë se ajo çfarë ka më shumë rëndësi të interpretohet nga deklarimet e Chollet dhe Escobar, është konteksti. Sipas tij, të dy kanë treguar se Amerika është ngopur nga lojërat e Prishtinës dhe Beogradit dhe se tashmë dëshiron të shoh progres para fundit të verës.
“E dyta dhe më e rëndësishmja për interpretim, është konteksti. Ajo që Escobar tha është se Administrata Amerikane është e ngirë me lojërat nga të dy palët. Ata duan të shohin disa rezultate përpara verës”, ka potencuar Janjiq.
Në këtë intervistë, analisti serb ka folur edhe për modelin kroat, në të cilin kryeministri Albin Kurti thotë se është inspiruar për të përgatitur një propozim për Asociacionin. Janjiq thotë se interpretimi që është bërë popullor në Kosovë për këtë model nuk është i saktë. Ai thotë se modeli kroat përfshinë edhe autonominë rajonale për rajonin e Sllavonisë Lindore e rregulluar përmes Marrëveshjes së Erdutit.
“Interpretimi që tash është popullor në Kosovë nuk është i saktë. Modeli kroat nuk ka të bëjë vetëm me ligjin për minoritetet. Është mbrojtje për minoritetet plus autonomia rajonale e Sllavonisë Lindore. Vetëm sa për të rifreskuar memorien e Kurtit dhe të tjerëve, analistëve dhe të ashtuquajturve analistë . Autonomia rajonale ishte rregulluar nga Marrëveshja e Erdutit”, ka theksuar Janjiq për Express.
Ai tutje thotë se po të ishte në pozitën e ekspertit kosovar apo qytetarit të Kosovës do të ishte i shqetësuar për atë që e quan “lojë” dhe “propagandë” me modelet e reja. Sipas Janjiq, mesazhi politik i SHBA-së dhe Escobarit është që të “ndalohen lojërat me modelet e reja” për Asociacionin.
“Nëse do të isha në situatën e ekspertëve të Kosovës, qytetarëve apo ekspertëve, do të isha shumë i shqetësuar me lojën që po luhet me propagandën me të ashtuquajturat modelet e reja. “Ndaloni me modelet e reja”, ky është interpretimi im i politikës i Amerikës dhe Escobarit. Ndaloni lojërat me modelet”, shton tutje Janjiq.
Ai përmend edhe disa arsye, pse sipas tij modeli kroat nuk mund të implementohet plotësisht në rastin e Kosovës. Sipas tij, ndryshe nga Kroacia, Kosova është shkëputur nga Serbia. Ai thotë se kjo ndarje është legjitime dhe ligjore, por shton se kur vije fjala për shkëputje, atëherë statusi i serbëve të Kosovës duhet parë si pjesë e statusit të Kosovës.
Sipas Janjiq, s’mund të kërkosh njohjen e plotë si shtet i pavarur dhe demokratik në rast se nuk e gjen një model të përshtatshëm për komunitetin serb.
“Njerëzit po i harrojnë dy raste specifike për Kroacinë. Njëri është ndryshe me Kosovën. Sa për të thënë se cili është ndryshimi dhe pse ky model s’mund të implementohet plotësisht në Kosovë. Ndryshimi është se Kosova duke e shfrytëzuar të drejtën për vetëvendosje të komunitetit të shqiptarëve dhe duke shfrytëzuar rrethanat diskreditimin e regjimit të Millosheviqit dhe represionit të policor e ushtarak përfshirë edhe krimet e luftës, por ata artikuluan Republikën e Kosovës, një shtet të pavarur. Ky në sensin territorial është shkëputje, legjitim dhe ligjor, por është ndarje/shkëputje. Kur ke rastin e ndarjes, ju duhet ta shihni statusin e serbëve të Kosovës si pjesë të statusit të Kosovës. Ti s’mund të kërkosh njohje të plotë si shtet i pavarur demokratik nëse nuk gjen një model të përshtatshëm për komunitetin serb, që ishte përpara në ish-Jugosllavi pjesë e Kushtetutës”, ka thënë Janjiq.
Analisti serb thotë se modeli kroat nuk mund të kopjohet në rastin e Kosovës, meqë thotë se parakusht për këtë duhet një marrëveshje paqe në mes të Kosovës dhe Serbisë, siç ishte arritur në rastin e Kroacisë.
“Përgjatë luftës, serbët kanë ndërtuar një para-qeverisje në rajonin e Sllavonisë Lindore, që s’ishte njohur nga Zagrebi, por ishte gjithashtu pjesë e Marrëveshjes Për Paqe. Dhe kjo është poenta. Duhet një marrëveshje paqe në mes të Kurtit dhe Vuçiqit, mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk mund të kopjohet modeli kroat dhe mos harroni që përfshinë autonominë rajonale për Sllavnoninë Lindore”, thekson Janjiq.
Janjiq thotë se SHBA-ja është e shqetësuar për situatën e sigurisë në veri dhe me vakumin institucional në veri, meqë nuk dihet se çfarë veprime do të ndërmarrë Aleksander Vuçiq. Janjiq përmend edhe mundësinë e instalimit të strukturave paralele në veri, edhe pse specifikon se vetë personalisht është kundër diçkaje të tillë.
Ndërkohë thotë se veprimet tjera mund të jenë të kombinuara, me protesta masive, bojkot të kryetrarëve e barrikada.
“Nga kjo pikë e kuptoj Escobarin. Amerikanët janë tepër të shqetësuar që procesi i normalizimit është afër fundit, nuk po funksionon”, shprehet Janjiq.
Ai thotë se ende s’ka proces të implementimit të marrëveshjeve të fundit të arritura në Ohër dhe Bruksel dhe se po diskutohet për mënyrën e implementimit dhe afatet kohore.
Janjiq ka pasur kritika edhe për e Ekipin e Përbashkët Monitorues i përbërë nga Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq. Ai pyet se si liderët e ekipeve negociatore dhe përfaqësuesit e qeverive mund të jenë të pavarur dhe të monitorojnë punën e tyre.
“Kjo është e pamundur. Kjo është jashtë logjikës”, shprehet Janjiq.
Ai thotë se kjo nuk po funksionon edhe përkundër që diçka e tillë është pranuar nga Lajçak, Borell dhe shtetet e QUINT-it.