Site icon PrishtinaPress

Janari shënoi rritje të numrit të turistëve në Shqipëri

Viti 2024 ka nisur me fluks të konsiderueshëm vizitorësh sipas shifrave zyrtare, pasi muaji janar ka shënuar rritje me 30% më shumë krahasuar me janarin e 2023, në Shqipëri. Më konkretisht, vetëm gjatë muajit të kaluar, Shqipërinë e vizituan mbi 489,599 vizitorë të huaj, nga rreth 377 mijë që u regjistruan në të njëjtën periudhë të vitit 2023. Ndërsa nëse bëhet krahasimi me muajin e parë të vitit 2022, asokohe numri i vizitorëve ishte 194,237, referuar shifrave zyrtare.

Dimri ka rezultuar gjithnjë me fluks vizitorësh të huaj në rritje, pasi edhe shifrat e Dhjetorit të 2023 tregojnë se në Shqipëri kanë hyrë mbi 616 mijë të huaj, me një rritje prej 57.6%, në raport me Dhjetorin e 2022.

Hyrjet kryesore kanë qenë nga vendet e Evropës, ku një pjesë e turistëve, edhe për shkak të festave, janë kryesisht emigrantë, që kthehen në vend pranë familjeve dhe të afërmeve.

Ndërsa bazuar në shifrat zyrtare të INSTAT, numri i vizitorëve që ishin në Shqipëri gjatë vitit 2023 ishte mbi 10 milionë e 155 mijë, duke u rritur me 34,6%, në krahasim me vitin 2022.

Pritshmëritë mbeten të larta edhe për këtë vit, e veçanërisht gjatë periudhës së verës, atëherë kur arrihet edhe piku i turistëve dhe vizitorëve./KlanNews

Exit mobile version