Site icon PrishtinaPress

Janari nuk zhbllokon asgjë – As ratifikimi i Demarkacionit, as vizita e Markoviqit

Janari premtonte dy gjëra: përmbylljen e çështjes së Demarkacionit dhe vizitën e kryeministrit të Malit të Zi. Kështu kishin thënë zyrtarë të lartë të Qeverisë, përfshirë kryeministri Haradinaj dhe zëvendësin i tij, Fatmir Limaj. Por, derisa po numërojmë ditët e fundit të këtij muaji, nuk ka shenja se do të ndodhë as njëra e as tjetra.

Vizita e parë e Ramush Haradinajt sikur po rezultonte e frytshme. Në dhjetor, derisa kryeministri po qëndronte në Bruksel në takimin me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, u raportua se ai kishte pasur një takim ndaras me homologun e tij malazez. Nga kjo, zyra e Qeverisë konfirmoi se Dusko Markoviq do të vinte në Kosovë gjatë muajit janar dhe këtu do të krijohej hapësira që të diskutohej për marrëveshjen e Demarkacionit, të cilën Podgorica zyrtare, deri më tani, e quante si të padiskutueshme dhe të mbyllur.

Por, derisa janari po përfundon, nuk ka asnjë shenjë se kjo vizitë do të ndodhë këto ditë.

Ishte thënë se Dusko Markoviq do të zhvillojë vizitë zyrtare në Prishtinë gjatë muajit janar, por deri më sot nuk është bërë asgjë e ditur rreth ardhjes së tij. Asnjë datë, pos që nga Qeveria e Kosovës përsërisin se e kanë të konfirmuar se kjo vizitë do të ndodhë.

Nga Zyra e Kryeministrit thonë se vizita e Markoviqit do të realizohet së shpejti, megjithatë nuk është vendosur asgjë për shkak të angazhimeve të të dyja palëve.

“Deri më tani nuk është caktuar asgjë për shkak të agjendave të dy kryeministrave, por kjo vizitë do të ndodhë së shpejti, ndoshta në fund të janarit ose në fillim të shkurtit”, kanë thënë nga zyra e Kryeministrit për Gazetën Express.

Sigurisht, që rëndësia e vizitës së Markoviqit është e madhe duke marrë parasysh se nga kjo, së paku nga çfarë ka thënë kryeministri Haradinaj, Mali i Zi më në fund pranon që të hapet tema e Demarkacionit dhe mundësia e diskutimit.

Deri më tani autoritetet malaziase kishin pohuar se për ta me t’u ratifikuar Marrëveshja e Demarkacionit në Parlamentin e tyre, kjo çështje është e mbyllur, dhe i mbetet Kosovës që ta zgjidhë problemin e saj.

Kryeministri Haradinaj, pasi ishte kthyer nga Brukseli, tha se kryeministri do të vijë dhe do ta vërtetojë se partneriteti mes shteteve nuk vihet në dyshim. Ai, po ashtu, kishte thënë se Kosova e ka një zor dhe kryeministri malazez kishte pranuar të diskutonte për Demarkacionin – zorin e Kosovës për gati tri vjet.

“E kam ftuar edhe kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq, një burrë i respektuar, që ta vizitojë Kosovën, vitin që vjen, në këtë rast, në janar. Në pjesën e fundit të janarit që edhe ai ta vërtetojë se Kosova është një partner. Edhe Kosova e ka një zor. Nuk është Kosova që vetëm po do me vendos në pozitë të keqe Malin e Zi”, ka thënë Haradinaj.

Express, po ashtu, ka dërguar pyetje në adresë të Zyrës së Kryeministrit Markoviq për të mësuar nëse agjenda e tij përfshin vizitën në Kosovë këtyre ditëve dhe nëse Demarkacioni do të jetë arsyeja e kësaj vizite, por deri më tani nuk ka përgjigje nga ana e tyre.

Çështja e Demarkacionit për më shumë se dy vjet ka mbetur peng dhe kusht i domosdoshëm për liberalizimin e vizave. Përderisa zyrtarë të lartë të Qeverisë premtuan se kjo çështje mbyllet gjatë janarit, projektligji edhe më tutje po sillet në komision e në Kuvend, pa dalë në votim. /Express/

 

Exit mobile version