Ish diplomati amerikan dhe ish këshilltari i Sekretares amerikane Madeleine Albright, i cili ka qenë edhe pjesë aktive e bisedimeve në Rambuje, James Rubin e ka komentuar marrëveshjen e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se kur njëra palë i do të gjitha, atëherë marrëveshja nuk funksionon.
Megjithatë, për Rubin kjo është një kohë e shpresës së madhe për Ballkanin.
“Marrëveshja jep një mundësi për t’i dhënë fund konfliktit, mospajtimeve, vuajtjeve dhe ecjes përpara drejt një të ardhme të ndritshme, në mënyrë që fëmijët të rriten normalisht duke mos u brengosur se kush kujt çfarë i bërë në të shkuarën”, ka deklaruar ai për N1, transmeton Gazeta Express.
Rubin ka thënë se është e lehtë të shkaktohen tensione, prandaj sipas tij, secila palë duhet të luajë rol konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Ai ka thënë se nëse njëra palë do të kërkojë të marr gjithçka, marrëveshja mes dy shteteve nuk mund të funksionojë.
“E lehtë është të shkaktosh trazira, të ankohesh, të kërkosh që të marrësh 100%. Nësa njëra palë kërkon që të marr gjithçka, s’do të funksionojë. Duhet të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja, Kosovën dhe Serbinë. Liderët duhet të marrin vendime të vështira për të ecur drejt normalizimit që tani është i mundshëm”, ka deklaruar ai.
“Sot, është e mundur me marrëveshjet që janë arritur”, ka potencuar ai.
Rubin ka thënë se liderët duhet t’ua tregojnë të vërtetën popujve të tyre, që asnjëra palë nuk mund të marr gjithçka që kërkon.
“Mendoj se ka një mundësi. Mundësia janë negociatat, të cilat do të normalizojnë raportet mes Kosovës dhe Serbisë, gjë e cila është e mundur nëpërmjet lidershipit dhe vendimeve të forta”, ka shtuar ai.
Rubin, gjatë kësaj paraqitjeje, ka bërë të ditur se së shpejti mund ta vizitojë Ballkanin.