0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Buy now

spot_img

Ja si mund të forconi vullnetin

Për të shpenzuar çdo sekondë të jetës suaj me dobi, mësoni si ta bëni trurin të jetë arma më e fortë dhe vullnetin motorin e palodhur të realizimit të dëshirave tuaja. “Ne jemi ajo ç’ka bëjmë vazhdimisht. Përsosmëria nuk është një akt, por një zakon”, ka thënë Aristoteli shumë kohë më parë. Kështu, ditë pas dite, ne jemi ata që mund të ndërtojmë vetë suksesin tonë, por kjo kërkon angazhim, durim dhe vullnet. Për të mbetur te vullneti, ja cilat janë zakonet e provuara shkencërisht se do t’jua forcojnë atë.

Meditoni

Meditimi është mënyra më e shpejtë dhe më efektive për të rritur vullnetin. Duke medituar ju stërvisni trurin që të përqendrohet dhe t’i rezistojë nxitjes për të humbur kohë me hamendësime. Kërkimet tregojnë se praktikimi me nga 10 minuta për 2 deri në 3 ditë i jep trurit më tepër energji dhe ul stresin. Meditimi është thjesht praktika që jua sjell mendimet në të tashmen. Rreth 47 për qind e jetës sonë kalon duke reflektuar për të shkuarën ose duke menduar rreth së ardhmes. Meditimi është pikërisht kjo dhuratë që e kthen mendjen tonë në të tashmen, largon çdo shpërqendrim dhe përqendrohet thjesht te frymëmarrja. Nëse e keni mendjen të pastër dhe të përqendruar, atëherë synimet tuaja nuk do të eklipsohen nga asgjë.

Glukoza si sekret

Kur trupi konsumon ushqim, krijon një kimikat të njohur si glukoza që qarkullon në trup nëpërmjet gjakut. Kjo është ajo çka truri e përdor si burim për të furnizuar mendimin, krijimin dhe vullnetin. Për të pasur sa më shumë përfshirje, sigurohuni që truri juaj të marrë mjaftueshëm glukozë që do të shndërrohet më pas në energji. Çdo ushqim që përmban kalori do t’ju japë glukozë, por jo çdo glukozë krijohet njëlloj. Ushqimet me sheqer ju japin glukozë që ka efekt afatshkurtër, por gjëja më e mirë që mund të bëni është të krijoni një balancë të qëndrueshme dhe afatgjatë. Po ashtu hani proteina, fruta të thata, fruta të freskëta dhe perime.

Flini mjaftueshëm

Kur nuk bëni gjumë të mirë, vullneti juaj bëhet shumë i dobët. Kur jeni të lodhur, qelizat e trurit nuk mund të thithin glukozën aq mirë, kjo do të thotë se ju nuk keni energji. Mos lejoni që kjo gjë t’ju errësojë gjykimin dhe t’ju mbajë larg synimeve tuaja në jetë. Flini mjaftueshëm për të pasur një vullnet çeliku që do t’ju hapë dyert në plotësimin e ëndrrave dhe në arritjen e suksesit. Për të fjetur sa më mirë sigurohuni që dhoma juaj të jetë e errët, po ashtu mund të merrni një sy gjumë edhe gjatë ditës.

Stërvituni

Të gjithë e dimë se stërvitja trupore bën mirë për shëndetin, por a e dini se bën mirë edhe për vullnetin? Kërkimet kanë zbuluar se ata që shkojnë në palestër ose bëjnë stërvitje fizike kanë kontroll më të lartë mbi trupin e tyre dhe mund t’i rezistojnë më shumë tundimeve. Gjithashtu, sa më tepër të stërviteni aq më në kontroll të emocioneve tuaja do të jeni, do të pakësoni duhanin, alkoolin, kafeinën, do të kurseni më shumë para dhe do të hani më shëndetshëm. Të gjitha këto lidhen patjetër me forcimin e vullnetit, i cili do t’ju duhet shumë në jetë.

Bëjini punët me radhë

Mos prisni që të nisni shumë punë njëherësh dhe që vullneti juaj të jetë i mjaftueshëm për t’i bërë ato të gjitha menjëherë. Për të pasur sukses të madh në një detyrë që merrni përsipër sigurohuni që të përqendroni shumë energji në atë punë. Pasi të përfundoni me sukses një detyrë kaloni te tjetra. Ky është sekreti për të forcuar vullnetin!

Arsyetoni

Një pjesë shumë e madhe e vendimeve tona gjatë ditës bëhen në mënyrë mekanike. Ne hamë, vishemi, shkojmë në punë në mënyrë automatike dhe pa e vrarë shumë mendjen për veprimet tona. Për të shmangur këtë tendencë dhe për të bërë më tepër veprime të mira gjatë ditës, arsyetoni. Ndaloni për një çast dhe vini në pyetje atë që po bëni, do të kuptoni se vullneti do t’ju forcohet.

Vëzhgojeni veten

Analizojini me kujdes mendimet, veprimet dhe dëshirat tuaj. Brenda jush ekziston një person të cilin ju doni ta përsosni. Merrni parasysh mundësitë dhe jepjani vetes këtë shans. Filloni të veproni siç është mënyra më e mirë për veten tuaj të ardhshme, atë që dëshironi të bëheni.

Mbrohuni

Kur studiuesit analizuan njerëz që dukeshin se kishin vullnet të hekurt, ata zbuluan se në fakt këta persona kishin një sekret për t’u qëndruar larg tundimeve që nuk sillnin asnjë të mirë. Ata nuk e vinin veten në situata që mund t’ia thyenin rutinën e shëndetshme. Jepini pak ndihmë vullnetit.

Gjeni frymëzim

Nëse po kërkoni për vullnet që do t’ju bëjë të fortë të arrini çdo gjë, atëherë duhet të kërkoni edhe për frymëzim, shkruan Shqip. Pa pasur një muzë që do t’ju shtyjë përpara, e keni të kotë që të ëndërroni për ndryshimin. Gjeni një motivim dhe ndiqeni atë.

Planifikoni me detaje

Mendoni për një synim që dëshironi ta plotësoni. Pastaj filloni ta copëtoni atë në pjesë derisa të bëhet i mundshëm. Ndiqni me saktësi planin tuaj për ta arritur atë dhe do të shihni se nuk do të jetë aspak e vështirë. Duke ushtruar doza të vogla vullneti do ta keni më të lehtë të arrini objektivin./Prishtinapress/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img