Sikur çdo kosovarë që aplikon për t`u pajisur me vizë në njërën nga vendet e zonës Shengen apo të ndonjë vendi tjetër, njësoi janë procedurat edhe për shtetasit e botës që dëshirojnë të pajisen me viza të Kosovës.
Autoritetet e Republikës së Kosovës nga janari 2016 deri në fund të këtij viti, kanë lëshuar 924 viza për shtetasit e huaj, që dëshirojnë të vizitojnë Kosovën.
Kështu ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Brendshme për Gazetën Monitor, e që kjo ministri ka treguar edhe numrin e përgjithshëm të të huajve që kanë kërkuar viza për këtë vit.
Ata thonë se që nga fillimi i vitit 2017 e deri më tani kanë kërkuar gjithsej 169 persona të huaj, vizë për në Kosovë, shkruan Gazeta Monitor.
MPB po ashtu ka bërë të ditur se në aplikimin e vizave përfshihen: dëshmia për qëllimin e qëndrimit në Republikën e Kosovës, rezervimi i itinerarit të udhëtimit, mjetet financiare të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve të qëndrimit, sigurimin shëndetësor me mbulesë minimale prej 30 mijë eurosh dhe raportin e xhirollogarisë bankare për gjashtë muajt e fundit.
Vizat kryesisht refuzohen shkaku i qëllimit të vizitave të shtetasve të huaj apo edhe për shkak të gabimeve në plotësimin e dokumentacionit.
Arsyet për të cilat deri tani më së shumti janë dhënë viza për shtetasit e huaj janë turistike, vizita zyrtare dhe vizita të thjeshta miqësie.
MPB në anën tjetër ka bërë të ditur nga të dhënat zyrtar, se Kosova nuk përmban regjim vizash me asnjë shtet të BE-së.
Ndryshe, Kosova është vendi i vetëm në mesin e 50 milionë qytetarëve në regjionin e Ballkanit Perëndimor ndaj të cilit Bashkimi Evropian aplikon regjimin e vizave.