Më 17 maj në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të zhvillohet finalja e Kupës së Kosovës për femra në futboll, ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës.
Në finale pritet të ndeshen EP Hajvalia dhe Mitrovica.
“Ndeshja finale e Kupës së Kosovës për femra në futboll, ndërmjet EP Hajvalisë dhe Mitrovicës, do të zhvillohet më datën 17 maj (e mërkurë), në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në orën 17:00.
Do të jetë kjo një përballje mjaft interesante e dy skuadrave më të cilësore në futbollin e vajzave e grave në Kosovë, e të cilat janë në garë edhe për titullin e kampionit në Sigal Superligë.
Kjo ndeshje, e cila pritet të sjellë lojë cilësore dhe rivalitet të ndjeshëm.
E në një finale si kjo pa dyshim tifozët e kanë rëndësinë e vet, prandaj kjo është një mundësi e mirë, që jo vetëm tifozët e këtyre ekipeve, por edhe dashamirët e futbollit në përgjithësi të jenë të pranishëm në stadium për të krijuar një atmosferë sa më të mirë dhe për të dëshmuar mbështetjen për futbollin e femrave e për t’i inkurajuar lojtaret e të dyja ekipeve që të japin më të mirën e tyre në fushë”, ka theksuar FFK .
“Vlen të theksohet se në gjysmëfinale të dyja skuadrat realizuan fitore të lehta: EP Hajvalia fitoi me rezultat 4:1 kundër Dukagjinit, ndërsa Mitrovica e mundi 16 Qershorin me rezultat 7:1.Këto dy skuadra janë ballafaquar edhe në finalen e vitit të kaluar, ku Mitrovica kishte fituar me rezultat 2:1”.