Izraeli ka nënshkruar një marrëveshje mbrojtëse me Greqinë në vlerë prej 3.5 miliardë dollarësh. Kjo marrëveshje përfshin sisteme të avancuara, si David’s Sling, i cili ka një rreze veprimi deri në 186 milje, sistemin Barak MX dhe radare për mbikëqyrje ajrore. Qëllimi është krijimi i një rrjeti mbrojtës të integruar për të mbrojtur territorin grek nga avionët luftarakë, dronët e armatosur, raketat balistike dhe armët me precizion të lartë.
Ky sistem synon të bashkojë Izraelin, Qipron, Greqinë, Indinë dhe dy vende të tjera arabe dhe afrikane, duke përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe. Sipas Netanyahut, qëllimi është krijimi i një boshti të kombeve që ndajnë të njëjtin qëndrim ndaj sfidave të përbashkëta, duke përfshirë ato që ai i cilëson si boshte radikale shiite dhe sunite.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka përshkruar këtë bashkëpunim si pjesë të një vizioni për një “aleancë hexagonale”.
Përderisa Greqia nuk e përmendi Turqinë në deklaratën e saj zyrtare, ministri i Mbrojtjes së Qipros, Vasilis Palmas, deklaroi se rrjeti i ri mbrojtës do të ndihmojë edhe vendin e tij në përballimin e kërcënimeve nga Turqia. Tensionet në rajon janë rritur për shkak të mosmarrëveshjeve mbi kontrollin e hapësirës ajrore, kufijtë detarë dhe rezervat e mundshme të gazit në Mesdheun Lindor.
Për kryeministrin Netanyahu, i cili përballet me një garë të ashpër politike dhe rënie të mbështetjes në sondazhe, ky bashkëpunim shërben si një tregues për elektoratin se Izraeli po forcon pozitat e tij ndërkombëtare.
Kjo marrëveshje është e rëndësishme për ekonominë izraelite pas zhvillimit të tri luftërave në tri vitet e fundit.
Përtej Greqisë, Izraeli ka zgjeruar partneritetet mbrojtëse edhe me vende të tjera, si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe India. Në rastin e Indisë, bashkëpunimi përfshin prodhimin e përbashkët të raketave Barak 8 dhe integrimin e pajisjeve izraelite në forcat e armatosura indiane. Strategët izraelitë vlerësojnë se varësia e këtyre vendeve nga teknologjia ushtarake izraelite forcon lidhjet diplomatike, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme mbi çështjen palestineze.
