Izraeli i ka hequr vizat për qytetarët e Kosovës, duke u bërë kështu shteti i 50-të që mundëson lëvizje të lirë për kosovarët.
Kjo marrëveshje u nënshkrua të martën ndërmjet ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministrit të Brendshëm të Izraelit, Moshe Arbel.
Më herët gjatë ditës, Arbel është pritur në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Dy shtetet zyrtarizuan marrëdhëniet diplomatike në shkurt të vitit 2021.
Atyre iu parapriu ajo që njihet si Marrëveshja e Uashingtonit, të cilën Kosova dhe Serbia e nënshkruan më 4 shtator të vitit 2020, nën drejtimin e ish-kryeministrit Avdullah Hoti, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.
Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem në korrik të vitit 2021, në këmbim të njohjes së pavarësisë së saj nga Izraeli.
Izraeli është vendi i fundit që e njohu pavarësinë e Kosovës. /EO/