-5.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Izmir Zeqiri, kryetari Zubin Potokut nga radhët e PDK’së që po i “reziston” shkarkimit me peticion

Zubin Potokun dhe Zveçanin janë duke i drejtuar dy kandidatë të PDK’së, ndërsa Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviqin kandidatët e VV’së. Ata fituan në zgjedhjet e 23 prillit, pasi Lista Serbe i bojkotoi ato dhe pjesëmarrja ishte shumë e ulët. Mirëpo, mandatin, Atiq, Hetemi, Peci e Zeqiri nuk pritet ta kenë të gjatë. Tashmë kanë nisur procedurat për largimin e tyre, por për këtë ka pakënaqësi nga i pari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

Disa herë, krerët e shtetit kanë deklaruar se shpallja e zgjedhjeve të reja përmes peticionit është mënyra “më demokratike”, por njëjtë si Kurti, Osmani dhe Konjufca, nuk mendon kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, që vjen nga radhët e PDK’së.

Ai mbrëmë tha se sipas tij, rruga më e mirë për largimin e tij nga pozita e kryetarit dhe shpallja e zgjedhjeve të reja është përmes dorëheqjes vullnetare pas një marrëveshje politike mes Qeverisë dhe PDK’së.

“Mirëpo, në pyetje se a më mirë është shkarkimi apo dorëheqja vullnetare?. Unë kam deklaruar se më mirë do të ishtë dorëheqja vullnetare pas një marrëveshje politike, Qeveri-Partia Demokratike”, tha Zeqiri, duke shtuar se shkarkimi nga ana e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, nuk është zgjidhje adekuate.

Por, kjo nuk është mosmarrëveshja e parë që kryetarët nga PDK kanë me Qeverinë sa i përket ushtrimit të detyrës në komunat veriore.

Pas tensioneve që ndodhën në Veri për shkak të hyrjes së kryetarëve nëpër komuna, ndërkombëtarët kërkuan nga ta që të punojnë nga objekte alternative.

Kërkesën e komunitetit ndërkombëtar e dëgjuan vetëm kryetarët që vijnë nga PDK, Izmir Zeqiri në Zubin Potok dhe Ilir Peci në Zveçan. Ata ende vazhdojnë të punojnë nga zyret komunale, njëri në Çabër, tjetri në Lipë.

E për dallim prej tyre, Erden Atiq në Mitrovicë të Veriut dhe Lulzim Hetemi në Zveçan që më shumë se dy muaj janë duke ushtruar detyrën e tyre nga objektet komunale. Madje, Hetemi që nga 29 maji nuk ka dalë nga zyra e tij.

Se kryetarët duhet të punojnë nga zyret e tyre në objektet komunale, disa herë ka thënë kryeministri Kurti.

“Në këto tri komuna, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, i kemi tri ndërtesa, dhe nëse jo kryetarët, atëherë kush duhet të jetë në to? Nëse nuk janë për kryetarët, kujt i shërbejnë ato? Kryetarët janë në zyrat e tyre, dhe kështu duhet të jetë. Ato ndërtesa janë asete të Republikës së Kosovës. Dikur kanë qenë struktura paralele të Serbisë, por ato janë struktura ilegale, të krijuara me fonde të Beogradit zyrtar, i cili dëshiron ta destabilizojë shtetin tonë, me idenë e Beogradit për të krijuar një botë të madhe serbe. Ne e kundërshtojmë diçka të tillë”, thoshte Kurti.

Tashmë, një grup zyrtarësh janë angazhuar për ta hartuar një udhëzim administrativ që do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të reja në veri të vendit duke i larguar fillimisht kryetarët aktualë nga detyrat. Për ta përgatitur dokumentin, ata kanë kohë deri më 1 shtator.

“Grupi Punues është përgjegjës për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave. Grupi punues duhet të finalizojë projekt-udhëzimin administrativ, dhe ta procedojë te Zyra e Sekretarit të përgjithshëm të MAPL-së deri më datën 01 shtator 2023”, thuhet në vendimin e MAPL-së.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka mbajtur mbledhje. Kryetari i këtij institucioni, Kreshnik Radoniqi, kur u pyet për grupin punues për hartimin e udhëzimit administrativ, tha se kjo ka qenë kërkesë e Ministrisë dhe se janë duke u mbajtur takimet, mirëpo nuk dha shume sqarime.

“Janë duke u mbajtur takime… deri sa të marrim një përfundim nga Komisioni nuk kemi çka me deklaruar. Ajo është kërkesë e Ministrisë, ata e kanë kërkuar një anëtar e kemi dërguar… Ta shohim ditëve në vijmë se çka do të veprojmë, për momentin nuk kemi përgjigje”.

Presidentja Osmani, sot gjatë një vizite në komunën e Dragashit, ka thënë se është çështje ditësh kur pritet të përfundojë baza ligjore për largimin e kryetarëve në Veri.

“Sa i përket çështjes së kryetarëve të komunave veriore është çështje ditësh kur do të përfundojë baza ligjore sa i përket akteve nënligjore dhe atyre të ministrisë dhe KQZ-së që i përcaktojnë afatet dhe çështjet teknike dhe procedurale lidhur me zbatimin e nenit 72 të ligjit për vetëqeverisje lokale. Kjo është bazuar edhe në praktikat e mëhershme, kur të drejtat që tashmë parashihen dhe rregullohen me ligj, kur duhet të zbatohen ato të drejta, çështjet procedurale parashihen me akte më të ulëta, pra me akte nënligjore. Pasi të përfundoj kjo, u takon pastaj qytetarëve në veri se a dëshirojnë ta shfrytëzojnë këtë të drejtë apo jo”, ka thënë Osmani.

Zgjedhjet në Veri u patën shpall një herë për në dhjetor, mirëpo për shkak të vendosjes së barrikadave, presidentja Osmani i shtyu ato për më 23 prill. Pas betimit, kryetarët në Veri hynë nëpër objektet komunale, gjë që nxiti protesta të dhunshme nga ana e qytetarëve serbë atje. Pas disa takimeve, Kosova dhe BE janë pajtuar që në Veri të ketë zgjedhje të reja në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img