Kryeministri Albin Kurti, pasi hodhi poshtë draftin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues, në tavolinën e dialogut në takimin e 2 majit në Bruksel paraqiti vizionin e tij për themelimin e Asociacionit. Në mesin e disa modeleve europiane të propozuara, ai zgjodhi që vizionin e tij ta bazojë në modelin kroat për pakicat. Javëve të fundit, nga diplomatë të ndryshëm, Kosovës i është kërkuar ta shqyrtojë edhe modelin e TIrolit Jugor.
Ndërmjetësit europianë dhe amerikanë, në thirrjet e tyre drejtuar Kosovës që të bindet për të themeluar Asociacionin, kërkonin që të përdoret një model europian për të drejtat e pakicave që nuk do të çonte në një Republikë Srpska.
Madje, si për t’ia lehtësuar, emisari I BE’së Miroslav Lajçak ia kishte lënë Kurtit 15 modele europiane për trajtimin e pakicave në Europë.
Kurti tashmë është pozicionuar te ai kroat, por a do të jetë i pranueshëm ky për BE’në?
Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borrell, edhe pas takimit në Bruksel ku iu propozua vizioni i kryeministrit të Kosovës për themelimin e Asociacionit, deklaroi se si pikënisje e konsiderojnë draftin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues.
“Nuk është draft përfundimtar, por është një pikënisje”, tha ai, duke mos dhënë asnjë koment për vizionin e prezantuar nga Kurti.
Emisari amerikan Gabriel Escobar ndërkaq kur është pyetur rreth ofertës së Kurtit ka thënë se ajo është diçka serioze. Të njëjtën e tha edhe për draftin e paraqitur nga Ekipi Menaxhues, i emëruar nga Kosova por që është nën ndikim të Beogradit.
“Mendoj se është serioz (drafti i Kurtit), por edhe ai i prezantuar nga Ekipi Menaxhues është po ashtu serioz”, tha Escobar.
Sot në Prishtinë erdhi kryediplomati kroat Gordan Grlic Radman për të dhënë mesazhin që Kosova mund të aplikojë modelin e shtetit të tij për pakicën serbe. Ai madje e theksoi se ky model ishte i pranueshëm për BE-në gjatë anëtarësimit të Kroacisë në Union.
“Kur flasim për modelin të quajtur kroat, është model që është promovuar përmes ligjit kushtetues për të drejtat e pakicës. Si model është i suksesshëm dhe si i tillë ndoshta mund të shërbejë si një shembull. Natyrisht që ishte i vlerësuar dhe i lidhur me qasjen tonë në BE, ky model ka rezultuar me sukses për ne. Por, për të gjithë ata që dëshirojnë ekzistojnë shumë të tjerë”, tha ai në një konferencë për media.
Pas ministrit kroat, një shtytje për të vazhduar me këtë vizion që bazohet në modelin kroat, Kurtit i erdhi nga Britania e Madhe.
Ambasadori britanik, Nicholas Abbott, duke vënë në pah vizitat e kësaj jave në Prishtinë, tha se tashmë është koha që të bëhet përparim në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe të themelohet Asociacioni.
“Në këtë javë pati shumë vizitorë të rëndësishëm në Prishtinë, duke përfshirë edhe drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor të Britanisë së Madhe, Victoria Billing. Aleatët e Kosovës duan të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Pra, tani është koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft-statut për një Asociacion, duke u mbështetur në vizionin e vendosur nga Kryeministri javën e kaluar, në përputhje me kriteret e përcaktuara nga BE-ja”, ka thënë Abbott në Twitter.
Gazeta Express ka dërguar pyetje në Bruksel për të sqaruar se “modeli kroat” është një nga alternativa që i është prezantuar Kurtit nga Lajcak dhe nëse ky opsion është i pranueshëm. Deri në momentin e publikimit zyrtar atje s’kanë kthyer përgjigje.
Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg, gjatë marsit ka diskutuar për Kosovën gjatë një takimi me homologun e tij serb Ivica Daçiq. Sipas mediave serbe, Schallenberg duke elaboruar rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kishte përmendur rastin e Tirolit Jugor.
Shefi i diplomacisë austriake ka thënë se shpreson se do të implementohen të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe Asociacionin. Ai kishte theksuar se e di se ky është një proces emotiv dhe i vështirë, por kishte përmendur Austrinë si shembull pozitiv.
“Ky është një vend që ka filluar të ekzistojë në vitin 1918, kur shembull një ministër francez, tha ‘Austria është ajo që mbetet’. Është një vend që ka pasur ndryshimet më të mëdha dhe sot jemi një nga vendet më të pasura ku njerëzit janë krenarë për gjithçka që është arritur. Shikoni Tirolin Jugor. Ka shembuj pozitivë dhe Austria është një prej tyre”, ka thënë kreu I diplomacisë së Austrisë.
Çfarë për përmban “Asociacioni kroat”?
Këshilli i Përbashkët i Komunave Serbe (Zajedničko veće opština – ZVO), përmbledh komunat ku jetojnë serbët në lindje të Kroacisë, është modeli të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka dhënë si propozim në Bruksel për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe.
Kurti pas përfundimit të takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq e ndërmjetësit, Josep Borrell e Miroslav Lajçak tha se ka dhënë këtë variant si “draft-vizioni”.
“Modeli kroat”, i cili është krijuar pas përfundimit të konflikteve në Sllavoninë Lindore në Kroaci, është futur në Marrëveshjen e Erdutit me dokumentin me anë të të cilit është konfirmuar ri-integrimi paqësor i rajoneve që kontrolloheshin nga serbët nën autoritetin e Zagrebit.
Organi është gardian i interesave të komunitetit serb në dy qarqe kroate: Osijek-Baranja dhe Vukovar-Srem, ndërsa përbëhet nga përfaqësues të nëntë komunave.
Ai është mekanizëm politik, këshillues dhe koordinues, i zgjedhur në mënyrë demokratike që ka kompetenca “vetëmenaxhuese” sa i përket çështjeve të të drejtave civile dhe kombëtare të serbëve, si dhe çështjeve të identitetit, kulturës, pjesëmarrjes dhe integrimit të tyre në shoqërinë kroate.
Këshilli i Përbashkët i Komunave Serbe mund të jetë shoqatë qytetarësh të cilën, sipas ligjit kroat, mund ta formojë kushdo nga minimumi tre persona – ajo formohet në bazë të dokumenteve ndërkombëtare si Marrëveshja e Erdutit dhe vendimit të Qeverisë së Kroacisë. Pra, ajo nuk përbën një njësi territoriale.
Ky mekanizëm për serbët në Kroaci ishte themeluar mbi bazën e “traditës shekullore të vetëqeverisjes serbe” në Kroaci, e cila shkon prapa në kohën e kuvendeve para kishtare/publike, përmes akteve ligjore dhe politike që rregullonin pozitën e serbëve në Kroaci gjatë shekujve XVIII dhe XIX.
Asambleja Themeluese e Këshillit të Përbashkët ishte mbajtur në vitin 1997 në Zagreb me nxitjen e Aleancës së Organizatave Serbe dhe anëtarëve të saj: Shoqatës Kulturore Serbe, Forumit Demokratik Serb, Komunitetit të Serbëve nga Rijeka dhe Istria si dhe Këshilli i Përbashkët i Komunave Serbe.
Pas miratimit të Aktit Kushtetues për të Drejtat e Pakicave Kombëtare në vitin 2002, kishte ndryshuar edhe struktura organizative e këshillave të pakicave kombëtare etnike. Anëtarët zgjidhen me votim të fshehtë, në zgjedhjet e organizuara nga shteti kroat në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale.
Në nivel komunal, këshilli i serbëve zgjidhet nëse aty jetojnë së paku 200 pjesëtarë të komunitetit serb. Në nivel qarku ky numër arrin në 500. Në rastin kur janë të paktën 100 pjesëtarë, zgjidhet vetëm një përfaqësues i këshillit. Kjo vlen për njësitë lokale ku popullsia serbe e kalon pragun prej 1.5 për qind.
Këshilli i Komunave Serbe përbëhet nga kuvendi – organi më i lartë – në të cilin bëjnë pjesë anëtarët nga radhët e komunitetit serb, pavarësisht nga përkatësia e tyre partiake. Ata zgjidhen në përputhje me statutin e këtij instrumenti. Kuvendi përbëhet nga 28 anëtarë dhe kryesohet nga presidenti i këshillit.