Site icon PrishtinaPress

Iu publikua numri në “AlbKings”, gazetarja Thaçi-Mehmeti raporton në Polici 31 burra për ngacmim

Pasi Kiksi realizoi dy emisione për grupin famëkeq “Albkings”, anëtarët e këtij grupi, të cilët janë mbledhur për të denigruar imazhin e grave dhe vajzave shqiptare, nisën hakmarrjen.

Mesnatën e së hënës së 6 majit, në grupin me mbi 60 mijë anëtarë, u shpërnda numri kontaktues i autores dhe producentes së emisionit Kiks Kosova, Ardiana Thaçi – Mehmeti.

Me t’u shpërndarë kontakti, vërshuan telefonatat në numrin kontaktues të gazetares Thaçi-Mehmeti.

Thirrjet e mesazhet nuk ndaluan gjatë të hënës dhe të martës, pavarësisht orës.

Prandaj, për shqetësimin që ia bënë, Thaçi iu drejtua stacionit të Policisë.

Deri tani, ajo ka raportuar te organet e rendit 31 persona të cilët e kanë ngacmuar atë, duke e telefonuar ose duke i dërguar mesazhe me kërkesë që të takohen me të.

Madje, njëri nga ta e ka pyetur edhe për çmimin që duhet ta paguajë për një natë me të.

E një anëtar tjetër i cili e telefonoi Thaçin ishte një 20-vjeçar nga Ferizaj, i cili pas bisedës me gazetaren e njoftoi se është larguar nga grupi.

Pas denoncimit të Thaçit, Policia e ka hapur rastin si “Kanosje”.

Exit mobile version