Site icon PrishtinaPress

Iu nënshtrua intervenimit në zemër, Zeqiri: Të hënën dal në punë, Kurti s’më ka telefonuar

Natën e së martës, shkoi për një vizitë të rëndomtë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Por, kryetarit të sapozgjedhur të Zubin Potokut, mjekët këtu i rekomanduan një intervenim të një natyre krejt tjetër.

Në ekzaminet e para, doli se Zeqirit i ishte mbyllur njëra nga arteriet e zemrës.

E këtë gjë, Izmir Zeqiri thotë se nuk e kishte pritur.

“Fillimisht shkova për një kontroll tjetër, mendova që jam i ftohur pak. Por, kur m’i bën analizat dhe EKG-në, mjekët e hetuan që kam diçka tjetër dhe me urgjencë me dërguan në spital në Prishtinë dhe gjithçka kaloi mirë”, thotë ai.

Zeqiri për Tëvë1, ka treguar edhe për natyrën e intervenimit.

“Në atë incizim u pa që kam nevojë për një stentë dhe ma vendosën atë në arteriet kryesore, jam ndier mirë edhe pas operacionit…nesër (të hënën) kismet do të dalë në punë. Tanimë e kemi themeluar komplet kabinetin e kryetarit dhe drejtorat i kemi zgjedh, i kemi vendos disa gjëra në binarë”, thotë kryetari i Zubin Potokut.

Ani pse i shtrirë në spital qëndroi për disa net kryetari nga radhët e PDK-së, thotë se nuk u vizitua nga krerët e shtetit.

Madje, as nga vet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Nuk kam pas ndonjë telefonatë nga z. Kurti, me ka vizituar zëvendës ministri në MAPL, Arbër Vokrri dhe sigurisht, kryetari i partisë sime, Memli Krasniqi”, tregon ai.

Izmir Zeqiri është kryetar i njërës prej tri komunave, gjendja në të cilat ka qenë mjaftë e tensionuar në muajin e fundit.

Por, kjo gjendje thotë se nuk u bë shkak për intervenim në zemër.

“Unë jam duhanxhi i hershëm, kam qëndruar shumë edhe në ambientet ku pihet duhani, kjo është arsyeja më tepër e ngushtimit të ndonjë arteries”, shprehet Zeqiri.

E qëndrimit i shtrirë Zeqiri thotë se do t’i jap fund të hënën, kur edhe planifikon të dal në punë.

“Kurdo që të krijohen kushtet për zgjedhje, duhet paraprakisht të ketë premisa se çfarë rezultati do të prodhohet prej atyre zgjedhjeve, meqenëse veriu i Kosovës dy dekada e më shumë, vetëm përsëritën problemet e njëjta”, thotë Zeqiri.

Izmir Zeqiri u zgjodh kryetar i Zubin Potokut në zgjedhjet e 23 prillit.

Exit mobile version