Site icon PrishtinaPress

Iu kërkonte disa fëmijëve të vidhnin biçikleta dhe t’ia dërgonin, arrestohet një 29-vjeçare në Fushë Kosovë

Rastet e keqtrajtimit të fëmijëve dhe shfrytëzimit të tyre në veprimtari të kundërligjshme nuk janë të rralla në vendin tonë. Personat që dyshohet se i shtyjnë të miturit të futen në telashe të tilla shpesh dalin të jenë prindërit e tyre, apo edhe ata që konsiderohen si “bossa”, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu dyshohet se ka ndodhur që një kohë në Fushë Kosovë, ku një grua e moshës 29-vjeçare, iu kërkon disa fëmijëve që të kryejnë vjedhje dhe gjësendet që i marrin t’ia dërgojnë asaj.

Gjithçka u zbulua pas denoncimit të një rasti nga një qendër tregtare në Fushë Kosovë, ku ishin vjedhur disa biçikleta, me ç’rast është kërkuar ndihmë në Polici për të zbuluar personat e dyshuar.

Si rezultat i raportimit, Policia është aktivizuar dhe ka arritur të bie në gjurmët e fëmijëve që kanë kryer vjedhjen dhe të njëjtit kanë dhënë deklaratat e tyre, lidhur me vjedhjen që kanë kryer.

Të njëjtat burime thonë se bazuar në dëshminë e tyre, e dyshuara A.B., shpeshherë iu ka kërkuar atyre të vjedhin biçikleta dhe ato më pas t’i dërgojnë te ajo.

Pas mbledhjes së informacioneve, Policia ka intervistuar edhe të dyshuarën, e cila ka dhënë deklaratën e saj para hetuesve policorë.

Ndaj saj, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor për 48 orë, ndërsa ndaj prindërve të fëmijëve është iniciuar rasti për veprën “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijëve”.

Rastin e kanë konfirmnuar edhe nga Policia e Kosovës.

“Raportohet se në një qendër tregtare janë vjedhur dy biçikleta nga fëmijë, njësitë relevante policore kanë arritur të identifikojnë kryerësit dhe kanë siguruar prova se në momentet e vjedhjes së bashku me fëmijët ka qenë edhe e dyshuara femër kosovare e cila është arrestuar, pastaj në cilësinë e të dyshuarve për veprën penale keqtrajtim apo braktisje e fëmijës janë intervistuar prindërit e fëmijëve (dy të dyshuar meshkuj kosovar). Biçikletat janë  sekuestruar dhe janë kthyer në qendrën tregtare. Me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje, rasti vazhdon të hetohet.”

Exit mobile version