Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Angelino Alfano.
“Duke vlerësuar rolin shumë të madh të Italisë për progresin e Kosovës, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin për bashkëpunim me Italinë, sidomos në fushën e shkëmbimeve ekomomike dhe tërheqjen e investimeve”, thuhet në komunikatë.
Ministri i jashtëm italian, Angelino Alfano, vlerësoi të arriturat e deritashme të Kosovës, duke theksuar përkrahjen e mëtejme të Italisë, njofton komunikata, duke shtuar se Alfano po ashtu vlerësoi vizionin e qartë të Qeverisë së Kosovës për avancimin e progresit, duke shprehur gatishmërinë e Italisë për zgjerimin e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve me Kosovën.
Gjatë takimit, u bisedua edhe për projekte konkrete në fushën e bashkëpunimit ekonomik, mbajtjen e Forumit Ekonomik në Romë më 31 janar, për proceset eurointegruese, për dialogun e Brukselit si dhe për luftën kundër terrorizmit, thuhet në komunikatë.