Gjykata Themelore në Prishtinë ka revokuar dorëzaninë e Ismet Osmanit-Currit në shumën prej 50 mijë euro dhe ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, pasi që kishte munguar në seancën e së hënës (1 korrik 2024).
Në këtë rast, Ismet Osmani, Sami Nika, Ilir Bojku dhe Mentor Maqani akuzohen për kryerjen e veprës penale “Fajde” dhe “Detyrim”, ndërsa i akuzuari Adil Thaqi ngarkohet me veprën penale “Mashtrim”.
“REVOKOHET aktvendimi…. me të cilin të akuzuarit I.O i është ndërprerë masa e paraburgimit, e cila masë është zëvendësuar me masën e dorëzanisë, CAKTOHET masa e paraburgimit, në periudhën prej tridhjetë (30) dite, duke iu llogaritur nga dita e arrestimit”, thuhet në vendimin e gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas këtij vendimi të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, shuma e dorëzanisë prej 50 mijë euro ishte lënë nga ana e familjarëve të Osmanit dhe se i njëjti ka qenë i njoftuar me pasojat e mosrespektimit të masës së dorëzanisë.
Gjithashtu, në këtë vendim thuhet se gjykata edhe me rastin e marrjes së të dhënave personale në seancat e mbajtura, kishte njoftuar të akuzuarin Osmani për detyrimin që të njoftojë gjykatën për çdo ndryshim të adresës.
Andaj, gjykata në vendim ka sqaruar se edhe përkundër që ka lëshuar ftesën për seancën e datës 1 korrik 2024 me rregull, duke iu drejtuar Stacionit Policorë në Graçanicë që personalisht t’i dorëzohet ftesa, stacioni policor ka njoftuar se shtëpia e Osmanit është e mbyllur.
Po ashtu, gjykata ka vërtetuar se ndaj Osmanit tashmë është aktiv fletarresti i lëshuar për rast tjetër, prandaj sipas gjykatës ndaj Osmanit janë plotësuar kushtet ligjore që t’i revokohet dorëzania dhe të caktohet paraburgimi prej 30 ditësh.
Po ashtu, gjykata ka njoftuar se ndaj të njëjtit do të lëshohet urdhërarrest në mënyrë që të shkojë në paraburgim prej 30 ditësh.
Aktakuza ndaj Ismet Osmanit i njohur si “Curri”, Sami Nikës, Ilir Bojkut, Mentor Maqanit dhe Adil Thaqit, ishte ngritur më 19 nëntor 2021.
Pesë të akuzuarit, në seancën e mbajtur më 15 korrik 2022 ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale që u vihen barrë.
Më 23 nëntor 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendim kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Kosovare Kelmendi, Besnik Berisha, Naser Sopjani dhe Artan Qerkini.
Kurse, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar aktvendimin e Themelores përmes të cilit ishin refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Ndryshe, Osmani po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për veprën penale të fajdesë dhe detyrimit së bashku me Sami Nikën, Ilir Bojkun, Mentor Maqanin. Kurse, Adil Thaçi ngarkohet për veprën penale “Mashtrimit”.