Sekretar Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi ka thënë sa ka marrë informacione se Dardan Molliqaj po organizon takime ilegale me aktivistë të Lëvizjes. Madje Kurteshi ka përmendur idenë e formimit të partisë së re.
Sekretari i VV-së ka thënë se është e kotë ideja për ta dobësuar lëvizjen duke bërë thirrje që të ndalen manipulimet.
“Disa aktivistë dhe anëtarë kryesie të Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ditëve të fundit po ankohen se ish Sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj po organizon takime ilegale me aktivistet e Lëvizjes..
Në këto takime, sipas aktivistëve, ai po pretendon se ai, dhe përkrahësit e tij, do të bëjnë një “çarje të madhe” në organizatë, duke aluduar edhe për krijimin e një partie të re. Në këto takime, sipas aktivistëve, janë përmendur shifra që kanë të bëjnë me dëmet që ai synon t‘ia shkaktojë Lëvizjes VETËVENDOSJE!.
Secili ka të drejtën e fjalës së lirë, por kjo e drejtë dhe pozicionet që njerëzit mbajnë brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk mund të keqpërdoren duke përhapur dezinformata brenda Lëvizjes, me qëllim të dobësimit të saj. Veprime e tilla të dëmshme janë të papranueshme dhe si të tilla duhen të ndalen menjëherë.
Në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, angazhimi dhe puna e organeve vendimmarrëse dhe organizimi i aktiviteteve po vazhdojnë, në përputhje me Statutin dhe rregulloret e brendshme, si dhe po respektohet demokracia e brendshme dhe parimet tona politike. Përkrahja e madhe për Lëvizjen që po ndodh këto ditë është garancia më e mirë se asnjë manipulim nuk mund ta ndalë rritjen dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, prandaj çfarëdo përpjekje për dobësimin e Lëvizjes Vetëvendosje është e kot” thuhet në reagimin e Kurteshit.