Site icon PrishtinaPress

Ismaili: Qytetarët që vijnë nga vendet e prekura me coronavirus, të vendosen në karantinë

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ish-Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se Qeveria duhet të veprojë dhe qytetarët të cilët vijnë nga vendet e prekura me coronavirus të vendosen në karantinë.

Ismaili deklaroi se Qeveria ka gabuar që nuk ka ndërmarrë me herët një vendim të tillë.

“Është fatkeqësi që personat e ardhur nga Italia nuk janë vendosur në karantinë për 14 ditë, pra duke ia kufizuar atyre lëvizjen dhe kontaktin me tjerët, por iu është lejuar të lëvizin lirshëm në qytetet e tyre dhe duke marrë pjesë në aktivitete shoqërore dhe kështu ta ekspozojnë popullatën nga virusi. Karantina ka qenë masë që është përdorur nga të gjitha shtetet por jo nga Kosova”, deklaroi ai para mediave.

Ismaili  deklaroi se Qeveria duhet të përmirësojë gabimet.

“Mungesa e veprimeve për izolim të personave të ardhur nga vendet me rrezik të lartë, siç është Italia na ka shtuar rrezikun për përhapjen e virusit në Kosovë. Çdo person që vjen nga vendet e prekura duhet të vendoset në karantinë. Mungesa e këtij veprimi është gabim dhe duhet përmirësuar”, u shpreh Ismaili.

Ndryshe, deri më tani në Kosovë janë tri raste të konfirmuar me coronavirus.

Exit mobile version