Ish-deputeti i LVV-së, Fisnik Ismaili, ka folur për përvjetorin e Betejës së Koshares, njërën ndër betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai tregoi se e ka detyruar kryeministrin Albin Kurti, që të shkojë në Koshare për vizitë.
Ismaili shpjegoi se kjo ka ndodhur kah viti 2013, kur të dy ishin së bashku në opozitë e me të njëjtën parti politike.
Mes tjeresh, ai foli për të dy ish-presidentët, Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi.
I pari asnjëherë s’i ka vizituar varrezat e dëshmorëve për përvjetor, kurse i dyti ka shkuar pas 17-18 viteve, për shkak të funksionit të presidentit, thotë Ismaili.
Ish-ligjvënësi i Kuvendit pati kritika për politikanët duke thënë se ata e kanë shfrytëzuar memorialin e Koshares veç për vota, raporton Paparaci.
Postimi i tij i plotë:
9 prill, përvjetori i Betejës së Koshares.
Ibrahim Rugova asnjiherë s’i ka vizitue varrezat për pëvjetor.
Hashim Thaçi mbas nja 17-18 vjetësh pat shkue, sepse e ka pa që si President duhet me e organizue nën patronatin e tij, e me qenë aty.
Albin Kurtin, që sot s’e përmend UÇK-në, e pata shti me zor me shkue, mbasi pata nisë me u marrë me politikë, diku kah 2013 a më vonë, e ai e përdorte UÇK-në për me fitue vota.
Vjosa Osmani, që sot s’e përmend UÇK-në, e organizon nën patronatin e saj edhe fryhet me Koshare, si me pas qenë Prindoni najfarë gjenerali i kësaj beteje.
E vërteta: Memoriali i Koshares është ndërtue i fundit, ka zgjatë me vjet edhe s’jam i sigurt se a është krye hala.
Krejt politikanët e kanë injorue kur i është dashtë kujdesi, e e kanë përdorë vetëm kur iu ka vye për me u frye me to.
Sot të njajtit shkojnë në Koshare, ulen nëpër do karrige rreth një bine, thurrin fjalime lavdi për me i postue në Facebook, edhe zhduken.
Ushtarët e Koshares vazhdojnë rrijnë në kambë rreth e rrotull asaj bine. Edhe sa kam qenë deputet, e që përnjiherë më “takonte” një vend në ato karrige, kam refuzue me u ulë.
Me 9 prill nuk kam çka shkoj me i ndejtë politikanëve në kambë. Çdo ditë tjetër e kam për me shkue me i ndejtë në kambë atyne që e dhanë jeten atje.