Site icon PrishtinaPress

Ishte caktuar t’i ruajë bagëtitë, ky është i burgosuri që u arratis nga burgu i Dubravës

Një i burgosur ka ikur sot nga burgu i Dubravës, gjatë kohës sa ishte caktuar me vendpunim në ruajtjen e bagëtive të fermës së qendrës. Për largimin e tij ka njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës, teksa është njoftuar edhe policia.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për Kujtim Blakqorrin, i cili sot ka ikur nga Pavijoni i Gjysmëhapur i Qendrës Korrektuese të Dubravës.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar Florent Gashi, zëdhënësi për media i Shërbimit Korrektues të Kosovës.


“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se i dënuari K.B është larguar nga Pavijoni i Gjysmëhapur i Qendrës Korrektuese të Dubravës”.

“I njëjti ishte caktuar me vendpunim në ruajtjen e bagëtive të fermës së qendrës. I njëjti ishte i dënuar me tri vite brurgim dhe do të lirohej më, 16.12.2024”.

“Për largimin e tij është lëshuar letër rreshtimi dhe është njoftuar edhe policia”, thuhet në njoftimin që Gashi e ka përcjell për Gazetën Sinjali.

Exit mobile version