Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshje me Serbinë brenda këtij viti.
Ai në prag të takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, me 27 shkurt në Bruksel, ka thënë se nuk do të diskutohet Asociacioni dhe se nuk mund të merren parasysh interesat e njërës palë.
Lidhur me arritjen e një marrëveshje brenda këtij viti, ish deputetja dhe tani zyrtarja e LDK-së, Shqipe Pantina, thotë për Gazeta Blic se marrëveshja mund të arrihet nëse ka vullnet në mes të dy palëve.
“Arritja e marrëveshjes apo marrëveshjeve (nëse bëhen për çështje të caktuara si ajo për targat) mes Kosovës dhe Serbisë është çështje e vullnetit të të dyja palëve, kështu që nëse Kryeministri Kurti ka vullnet për ta bërë këtë, kjo padyshim që është e mundur”, thotë ajo.
Pantina thekson se për arritjen e marrëveshjes kërkohet themelimi i Asociacionit dhe nëse Kurti e themelon atë, gjasat për marrëveshje janë reale.
“Ne e dimë se çfarë kërkohet nga Kosova për arritjen e marrëveshjes me Serbinë e që është themelimi i Asociacionit. Nëse Kurti e themelon Asociacionin atëherë gjasat për arritjen e marrëveshjes janë reale”, vlerëson ajo
Sa i përket takimit të 27 shkurtit, ajo mendon se do të ketë një dakordim mbi detajet e marrëveshjes, teksa shton se Kurti dhe Vuçiçi flasin me dy gjuhë, e që të dy kanë dhënë sinjale se do ta nënshkruajnë marrëveshjen por që duan të gjejnë arsyetime për ta ruajtur mbështetjen e votuesve.
“Unë nuk besoj se marrëveshja do të arrihet në takimin e 27 shkurtit, por besoj se do të kemi një dakordim e mbi të cilin do të hartohen detajet e marrëveshjes. Edhe Kurti edhe Vuçiçi flasin me dy gjuhë, pra tjetër gjë deklarojnë në mediat e tyre lokale, e tjetër gjë para atyre ndërkombëtarëve, por e rëndësishme është se çfarë deklarojnë para ndërmjetësve, e në këtë rast të dy kanë dhënë sinjale se do ta nënshkruajnë marrëveshjen. Ata thjesht janë në kërkim të arsyetimeve për të ruajtur mbështetjen e votuesve të tyre”, deklaron Shqipe Pantina.