Site icon PrishtinaPress

Ish-zyrtari i NATO-s: Poltika e BE-së për Kosovën e Serbinë s’po funksionon, duhet të ndryshojë

Ish-zyrtari i NATO-së dhe analisti për paqe, siguri dhe mbrojtje, Maurizio Geri, në një analizë të publikuar në “The Critic”, ka folur edhe për politikën e jashtme të Bashkimit Evropian lidhur me problemin në mes të Kosovës dhe Serbisë, trasnmeton Gazeta Express.

Geri shkruan se shumë afër shtëpisë, BE-ja po dështon që të sjell pajtim në mes të Kosovës dhe Serbisë, në një rajon ku Geri thotë se BE-ja duhet të jetë fuqia kryesore gjeopolitike për zgjidhjen e problemit.

Ai thotë se rajoni i Ballkanit Perëndimor vazhdon të mbetet fragjil edhe përkundër se kanë kaluar mbi 20 vjet nga lufta. Këtu përmend vendimin e Serbisë për të dërguar trupat në afërsi të kufirit me Kosovën pas tensioneve në veri. Geri thotë se një veprim i tillë kishte nxitur frikë në kryeqytetet e BE-së për shpërthimin e një lufte tjetër. 

Tutje Maurizio Geri thotë se ka shumë pak progres në arritjen e synimit gjeo-strategjik të Brukselit për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë me njohje reciproke. Eksperti për paqe dhe siguri, thotë se 15 vjet ndërmjetësim s’kanë sjellë progres, meqë sipas Gerit mungon një pozicion koherent dhe konsistent, shkruan Express.

Brenda BE-së, Geri thotë se ka shtete prej atyre që refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës e deri tek ato që besojnë se Serbia thjeshtë duhet të pranojë pavarësinë e Kosovës me pak lëshime nga ana kosovare. Maurizio Geri thotë se kjo është më e theksuar në pozicionin gjerman.

Për Komisionin Evropian, thotë se është përpjekur që të ecë përmes një vije të mesme që mund të lexohet vetëm si e paqartë.  Ndërkohë sipas Gerit, shtetet anëtare lihen të lira që të shprehin qëndrime te tyre në publik, duke dërguar mesazhe të përziera tek Prishtina dhe Beogradi, sa i përket pozicionit të përgjithshëm të BE-së. 

Tutje, ish-zyrtari i NATO-s flet për goditjen që ka marrë përpjekja e BE-së për të kushtëzuar rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Geri thotë se bllokada e Macronit ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për pranim në BE, e bën të duket shumë të largët një perspektivë të tillë ku të dy vendet kushtëzohen ta njohin-njëra tjetrën në mënyrë që të anëtarësohen në BE, trasnmeton Express.

Maurizio Geri në analizën e tij, thotë se ndërmjetësimi joefektiv i BE-së e forcon gjithashtu edhe sundimin autokratik të presidentit të Serbisë, Aleksander Vucic

 “Ndërmjetësimi joefektiv i BE-së forcon gjithashtu sundimin autokratik të presidentit serb Aleksandar Vuçiç. Duke i përshkruar përpjekjet joefektive të ndërmjetësimit si një dredhi për të penguar rrugën e Serbisë drejt BE-së, ai ka rritur vazhdimisht përqendrimin e pushtetit në vend. Në të njëjtën kohë, ndikimi rus dhe kinez është rritur ndërsa perspektiva e anëtarësimit në BE zbehet.”, shkruan Geri në “The Critic”, transmeton Express. 

Geri në analizën e tij përmend edhe përpjekjen amerikan për arritjen e një marrëveshje përgjatë administratës së Donald Trump dhe përmend kundërshtinë e Evropës, më specifikisht Gjermanisë, për një lëvizje të mundshme të kufijve. 

Analisti Geri thotë se me ardhjen e Biden në pushtet, përgjegjësia për ndërmjetësim iu dorëzua BE-së dhe Marrëveshja potenciale që ishte planifikuar ta nënshkruanin Thaçi-Vuçiq, Geri thotë se vdiq.

Ai potencon tutje se në fund Brukseli dështoi të merrte atë që i duhej, pra që Kosova dhe Serbia ta njohin integritetin territorial të njëra-tjetrës. Maurizio Geri thotë se konflikti në mes të Kosovës dhe Serbisë mbetet i pazgjidhur. Ai thotë se një burim paqëndrueshmëria vazhdon të fshihet në oborrin e pasmë të BE-së, gjë që tregon se politika e jashtme e BE-së nuk po funksionon dhe duhet të ndryshojë./GazetaExpress/

Exit mobile version