Në seancën e rigjykimit, të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë , ish-asistenti ekzekutiv në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Leotrim Gashi, e ka pranuar fajësinë për ushtrim ndikimi.
Sipas aktakuzës së precizuar, Gashi po ngarkohet se në vazhdimësi nga 12 dhjetori 2021 e deri më 11 janar 2022, ka kërkuar para nga dëshmitarja/e dëmtuara G.T, me arsyetimin se ai është në gjendje të ushtrojë ndikim mbi vendimmarrjen e personave zyrtarë- komisionit për dhënie të granteve në MKRS.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Bashkim Zeqa, i akuzuari Gashi u deklarua fajtor për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Këtë deklarim të të akuzuarit Gashi, e ka mbështetur mbrojtësi i tij, avokati Tahir Recaj dhe i propozoi gjykatës që t’i vlerësojë me kujdes të gjitha rrethanat lehtësuese të konstatuara në shqyrtimin e mëparshëm për këtë çështje penale, si dhe në ankesën e paraqitur në Gjykatën e Apelit.
Ky pranim i fajësisë, nuk u kundërshtua nga prokurori Zeqa, me arsyetimin se pranimi është bërë sipas dispozitave ligjore dhe më pas si i tillë u aprovua nga gjykatësi Agim Kuçi.
Shpallja e aktgjykimi për këtë çështje penale do të bëhet më 3 tetor 2022.
Në fillim të seancës, prokurori Zeqa ka bërë precizimin e aktakuzës. me çka tani i akuzuari Gashi ngarkohet për “Ushtrim ndikimi”, nga neni 424, par 1 i KPRK-së.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës Gashin e kishte dënuar me 2 vit burgim dhe 3 mijë euro gjobë për veprën penale “Marrje ryshfeti”, mirëpo më 29 korrik 2022, Gjykata e Apelit këtë aktgjykim e ka anuluar dhe çështja është kthyer në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 28 mars 2022 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Leotrim Gashi thuhet se ka kryer veprën penale “Marrje ryshfeti”, nga 421, par.1 të KPRKS-së.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Gashi në cilësinë e asistentit ekzekutiv në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përkatësisht në Departamentin e Rinisë, duke e shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare, në vazhdimësi nga 12 dhjetor 2021 e deri më 11 janar 2022, ka kërkuar ryshfet nga dëshmitarja – e dëmtuara G.T.
Siç thuhet në aktakuzë, më 11 janar 2022, në Sheshin “Nënë Tereza”, në Prishtinë, respektivisht ditën kur është kapur në flagrancë dhe është arrestuar, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar ryshfet në shumën prej 5 mijë e 850 euro nga e dëmtuara G.T.
Sipas prokurorisë, pasi që e dëmtuara kishte aplikuar dhe ishte përfituese e grantit në vlerë prej 12 mijë e 500 euro, sipas thirrjes nga MKRS për subvencionim me mjete financiare për biznese që do të krijoheshin “start –up me spin-off” dhe biznese fillestare “start up”, si dhe shoqja e saj E.A ishte përfituese e grantit prej 7 mijë e 44 euro, i akuzuari në mënyrë të vazhdueshme, nga e dëmtuara dhe shoqja e saj, nga grantet, përkatësisht kishte kërkuar shumën prej 5 mijë e 850 euro, ku të njëjtën shumë e kishte marrë nga e dëmtuara në formë të ryshfetit në kohën dhe vendin e lartcekur./Prishtinapress/