1.5 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Buy now

spot_img

Ish-zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës sërish deklarohen të pafajshëm për korrupsion

Dy ish-zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshi dhe Besim Tahiri, pas nisjes rishtazi të shqyrtimit gjyqësor, janë deklaruar të pafajshëm për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Xhelil Bekteshi dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të prokurimit në këtë ministri, Besim Tahirit, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, dy të akuzuarit Bekteshi e Tahiri hoqën dorë nga leximi i aktit akuzues ndaj tyre, me arsyetimin se ishin të njohur me rastin.

“Plotësisht të pafajshëm”, u deklaruan të akuzuarit Bekteshi dhe Tahiri.

Më pas, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dërmaku ka pyetur palët se si të procedohet me administrimin e provave, pas rifillimit të shqyrtimit gjyqësor.

Lidhur me këtë prokurori Ibrahim Berisha deklaroi se në kuadër të këtij procesi gjyqësor, ishte dhënë fjala hyrëse nga palët dhe ishte proceduar tutje me administrimin e provave.

“Konsideroj se në procedurat paraprake, prokuroria ka lexuar aktakuzën, e ka dhënë fjalën hyrëse, si dhe ka kaluar në procedura të provave materiale, ku në shqyrtimet datës 17.04.2019, është dëgjuar dëshmitarja Valentina Rexhepi, ku përveç prokurorit që ka parashtruar pyetje, këtë të drejtë e ka shfrytëzuar edhe mbrojtja dhe palët tjera në procedurë. Edhe në shqyrtimin e datës 20.05.2019, është bërë edhe dëgjimi i dëshmitarëve tjerë, Arif Zhushi, Mirdit Emini, Hysen Dobërqani, Hysen Merovci, ndërsa ka mbetur pa u dëgjuar vetëm dëshmitarja Erza Arifi”, tha prokurori Berisha.

Andaj, prokurori Berisha, i ka propozuar gjykatës që të gjitha këto prova të konsiderohen si të lexuara.

Me këtë propozim të prokurorit u pajtuan edhe mbrojtësit e të akuzuarve Bekteshi e Tahiri, avokatët Betim Shala e Adem Vokshi.

Duke vendosur përkitazi me këtë propozim, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Fatime Dërmaku mori vendim që të konsiderohen të lexuara procesverbalet e provave të cekura si më lartë.

Për sigurimin e prezencës së dëshmitares Erza Arifi, gjykatësja Dërmaku ka lëshuar urdhërarrest, mirëpo paralelisht do të kërkohet edhe ndihma juridike ndërkombëtare nga shteti i Gjermanisë.

“Stacioni Policor Veriu dhe Stacioni Policor Jugu e njoftuan gjykatën se e njëjta është e paarritshme, dhe sipas babait të saj dhe një kushëriri të burrit të saj, të njëjtit ndodhen në Gjermani. Mirëpo sipas njoftimit nga ILEK-u, e njëjta në sistemin për menaxhimin e kufijve, rezulton se ka hyrë në Kosovë më 10 janar 2021. Meqë ajo vullnetarisht nuk po paraqitjet, sjelljen e saj gjykata do ta sigurojë me mekanizma të paraparë ligjor”, deklaroi gjykatësja Dërmaku.

Në rrethana të tilla, kjo seancë u shty në kohë të pacaktuar, derisa gjykata të sigurojë prezencën e dëshmitares Erza Arifi.

Po ashtu, për shkak të ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues, gjykatësja Dërmaku njoftoi palët se shqyrtimi gjyqësor në këtë rast do të filloj rishtazi.

Ndryshe, Prokuroria pretendon se Xhelil Bekteshi, në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, ndërsa njëjtë akuzohet se ka vepruar edhe Besim Tahiri, në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në këtë ministri.

Në këtë rast, bashkë me Bekteshin e Tahirin, është akuzuar edhe Naim Sallahu, por ai kishte bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim, por që i ishte zëvendësuar në dënim me gjobë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 29 janar 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit me pretendimin se kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj Naim Sallahut për veprën penale “falsifikim i dokumentit”.

I akuzuari Xhelil Bekteshi, sipas kësaj aktakuze thuhet se sa ishte në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.

Bekteshi thuhet se e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23.05.2016 në vend të datës reale 26.06.2016.

Sipas aktakuzës ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim të lartë 991,418.19 euro, ndërsa operatorit tjetër ekonomik, i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.

Besim Tahiri, akuzohet se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erza Arifi, që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.

Sipas prokurorisë, Tahiri e kishte obliguar Arifin që të paraqes kërkesë me shkrim për tërheqje nga komisioni në mënyrë që të bëhej ndryshimi i vendimit të marrë dhe tenderi t’i jepej operatorit ekonomik “Sallahu” edhe pse kishte çmim më të shtrenjtë.

Ndërsa, aktakuza të akuzuarin Naim Sallahu, pronar i kompanisë N.N.T “Sallahu”,  e ngarkon me veprën penale “falsifikim të dokumentit” pasi që i njëjti thuhet se me rastin e paraqitjes së ofertës në MI lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale kishte paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor kinse ka kryer obligimet tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Sipas aktakuzës, i akuzuari Sallahu edhe pse e kishte ditur se një dokument i tillë nuk është i vërtetë dhe se nuk i kishte të shlyera detyrimet tatimore e kishte paraqitur si të vërtet. Sallahu thuhet se edhe listën e punëtorëve e kishte paraqitur me 50 punëtorë, ndërsa në realitet kishte pasur vetëm 29 punëtorë. /BetimipërDrejtësi

adminhttps://www.prishtinapress.org
I am a web developer who is working as a freelancer. I am living in Saigon, a crowded city of Vietnam. I am promoting for http://sneeit.com

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img