Site icon PrishtinaPress

Ish-zv.ministri i Arsimit, Pupovci ka dyshime për paratë e librave: Ka prindër që i kanë llogaritë e bllokuara për shkak të borxheve

Dilema rreth propozimit, tashmë vendimit të MAShT-it për librat shkollor, pati ish-zv.ministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci.

Pupovci u shpreh se ka probleme siç është vetpërcaktimi i lartësisë së pagesës, pasi çmimet mund të ndryshojnë varësisht nga libraria.

Tutje ai theksoi se, ka edhe prindër që i kanë llogaritë e bllokuara për shkak të borxheve, kështu iu pamundësohet marrja e mjeteve nga Qeveria.

“Zbatimi i një opsioni të tillë nuk është aspak i thjeshtë. Në aspektin praktik është punë shumë e vështirë të procesohen rreth 100 mijë aplikime për rimbursim nga prindërit dhe të ekzekutohen pagesat, me ç’rast duhet të verifikohen të dhënat për fëmijët: në cilën shkollë dhe klasë vijojnë mësimin, si dhe cilat tekste i ka përzgjedhur shkolla. Vet përcaktimi i lartësisë së pagesës është problematikë në vete, pasi çmimet mund të ndryshojnë varësisht nga libraria. Probleme tjera mund të lindin me njerëz që nuk i shpenzojnë mjetet për tekste, por për diçka tjetër, ose të tillë që i kanë llogaritë e bllokuara për shkak të borxheve”, theksoi ai për Indeksonline.

Pupovci u shpreh se nga përvoja e tij në ministri, shtëpitë botuese ndonjëherë janë joracionale me çmime, pasi për momentin, sipas tij, nuk ka mekanizma ligjorë për kufizimin e çmimeve.

“Disa prej tyre kanë qenë shumë jofleksibile me rastin e negocimit të çmimeve, ndërsa disa tjera i kanë zbritur çmimet edhe për 20-30% që dmth se edhe vet e kanë ditur se oferta fillestare ka qenë joreale. Pastaj, është e çuditshme se, në shumë raste, çmimi i tekstit që i ofrohet Ministrisë është më i lartë se çmimi me të cilin tekstin e shesin libraritë, e ku është i kalkuluar edhe marzhi i fitimit. Normalisht, do të duhej të ishte e kundërta”, tha ai.

Theksojmë se mbrëmjen e së enjtes, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci njoftoi se prindërit duhet t’i blejnë librat për fëmijët e tyre derisa bëri thirrje se nga nesër mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore. Sipas saj, mjetet do të dalin në xhirollogaritë që nga fillimi i javës së ardhshme.

“Do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa 1 deri në klasën e 5 për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore. Po ashtu, për herë të parë për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9 të cilët tashmë i kanë të siguruara tekstet mësimore, do të ndahen 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore”, njoftoi ministrja Nagavci.

Exit mobile version