Site icon PrishtinaPress

Ish-zv/ministri i Arsimit: Nagavci po i shkel ligjet, është e pamundur të sigurohen librat për 1 shtator

Ministria e Arsimit deri këtë vit i ka siguruar tekstet shkollore përmes shtëpive botuese, nga ku ato u janë shpërndarë nxënësve nëpër shkolla.

Por, e njëjta gjë këtë vit shkollorë nuk do të ndodhë.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci të hënën ka bërë të ditur se nxënësit nuk do të kenë libra nga ministria.

Pasi sipas saj, fajin e kanë shtëpitë botuese se i kanë fryrë çmimet e librave.

Nagavci ka propozuar një metodë të re të blerjes së librave nga prindërit përmes rimbursimit nga shteti.

Kjo taktikë sipas ish-zëvendësministrit të Arsimit, Azem Guri është shqetësuese.

Guri thotë për Front Online se ky vendim është dashur të merret më herët, jo në fillimin e vitit shkollor.

“E kemi ndjekur me shumë shqetësim e sipas ligjit MASHT-i është i obliguar t’i ofrojë nxënësve nga klasa 1-9 tekstet shkollore falas këtë planifikim është dashur ministria ta bëjë më herët në fund të vitit shkollor paraprak që në vitin e ri shkollor çdo gjë të jetë gati”, thotë Guri.

Sipas tij, ky propozim i MASHT-it do të sjellë tollovi e probleme tek prindërit.

Guri thotë se shtatë qytete të Kosovës nuk kanë librari.

“Janë disa defekte në këtë vendim, do të ketë një rrëmujë të madhe rreth sigurimit të teksteve shkollore nga ana e prindërve. Çmimet të shtëpive botuese nuk janë të njëjta. Në shtatë qytete të Kosovës që nuk kanë librari si do të furnizohen këto me tekste shkollore, këto do të sjellin shqetësime e probleme të mëdha tek nxënësit e prindërit”, u shpreh Guri.

Ish-zëvendësministri i Arsimit tha se nxënësit nuk do kenë mundësi t’i sigurojnë librat.

“Prindërit nuk kanë qenë të përgatitur për këtë planifikim të shportës familjare pavarësisht që ministria u ka premtuar që do të bëjë rimbursimin. Është e pamundur të sigurohen tekstet shkollore për fillimit e këtij viti sidomos për nxënësit nga klasa e parë e tutje”, theksoi ai për Front Online.

Guri ka folur edhe për punën e deritanishme të ministrisë Nagavci.

“Përveç shkeljeve të ligjit të Kushtetueses dhe të Inspektoratit të Arsimit që janë bërë, kjo thotë që është një mospërfshirje e ligjit para universitar pavarësisht se ata po thonë që po rimbursohet. Nagavci nuk po vepron komfor ligjit”, përfundoi Guri.

Ministria e Arsimit e kishte anuluar më 9 gusht tenderin për blerjen e teksteve shkollore për nxënësit e klasës së parë deri në klasën e pestë, për vitin e ri shkollor që nis më 1 shtator, nën arsyetimin se “librat janë shtrenjtë”.

Exit mobile version