13.7 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Buy now

spot_img

Ish-shefi i shtabit zgjedhor të Agim Bahtirit: Ja si e mposhtëm PDK-në!

Sapo janë bërë tri vite nga koha kur AKR e drejtuar nga Behgjet Pacolli, kishte vendosur të kandidoj për kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtirin, një person që pak njerëz e njihnin, me përjashtim të gjeneratave të vjetra, pasi që ai kishte jetuar mbi 20 vite në Holandë.
Fitorja e tij kundër Avni Kastratit të PDK-së nga opinioni publik fillimisht u pa si diçka e pamundur, duke pasur parasysh fuqinë politike të PDK-së në Mitrovicë, ku kjo parti kishte fituar dy parë zgjedhjet e fundit, si dhe faktit se ishte qyteti i zëvendëskryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.
Për publikun deri më sot është i njohur fakti se tashmë kryetari Bahtiri ka udhëhequr një fushatë interesante. Mirëpo, prapa Bahtirit qëndronte një ekip i tërë, i cili asnjëherë nuk u ekspozua në publik.
Shef i shtabit të kryetarit Bahtiri ishte caktuar Ismet Mulaj, i cili në vitin 2014 kishte ushtruar edhe detyrën e ministrit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Mulaj në një intervistë për Veriu.info tregon shumëçka nga fushata zgjedhore.
Ju keni pas një përvojë të gjatë në fushata zgjedhore, a ishit në dijeni që në Mitrovicë përballë PDK-së do të jetë e pamundur fitorja e kandidatit të AKR-së?
Mulaj: Po isha shumë i vetëdijshëm, por në fushata zgjedhore nuk ka të pamundur. Përkundrazi, aty ku mendohet që është e pa mundur, aty depërtohet më lehtë. Ka shumë e shumë shembuj nëpër botë dhe në Kosovë.

Pse kishit bindje gjithnjë që do të fitoni në Mitrovicë, kur dihet që z.Bahtiri ishte pa përvojë politike dhe kishte jetuar shume gjatë në Perëndim, larg realitetit kosovar?
Mulaj: Gjithnjë dobësitë mund të shndërrohen në avantazhe. Qëndrimi i Agim Bahtirit në botën e jashtme, na e jepte mundësinë ta promovonim si person me njohje ndërkombëtare dhe me mundësi të shumta për të investuar. Po ashtu Mitrovicës i duhej një menaxher me përvojë ndërkombëtare, e jo një politikan i korruptuar provincial. Mitrovicës i duhej një kryetar që kishte guxim për t‘u përballë me të gjitha të këqijat që i ndodhnin Mitrovicës.
Cilat ishin ato të këqija dhe a ishte fajtor pushteti lokal për to?
Mulaj: Po, kishte kudo korrupsion dhe favorizimi, qytetarit i kishte ardhur në maje të hundës çdo gjë që vinte nga pushteti. Mos të harrojmë që kishte pak të mira që ata përfitonin nga pushteti. Populli kërkonte ndryshim me çdo kusht.
Konkretisht si e ndërtuat strategjinë e fushatës zgjedhore?
Mulaj: Bëra një analizë të figurës së z.Bahtiri, arrita të kuptoj që ky njeri ka energji të jashtëzakonshme për punë, vinte nga një familje me respekt, po ashtu kishte përvojë ndërkombëtare në biznes. Këto tre kanë qenë elementet kryesore që i kemi promovuar në fushatë dhe për këto tre elemente edhe sot e kësaj dite kujtohet tashmë kryetari Bahtiri.
Fushata ishte sulmuese ndaj SHIK-ut dhe PDK-së, e asnjëherë ndaj z.Avni Kastratit që ishe kundër-kandidat?
Mulaj: Në hulumtimet tona dhe të disa institucioneve ndërkombëtare, figura e z.Kastrati dilte fitues me 50%, ndërsa të gjithë të tjerët merrnin 50 %, derisa z.Bahtiri dilte në sondazh si kandidat i tretë. Prandaj ne e anashkaluam figurën e kandidatit të PDK-së nga fushata, duke thënë që z.Kastrati është burrë i mirë, por qeveriset nga SHIK-u dhe Skenderaj, dhe që Mitrovica ka nevojë të udhëhiqet nga një kryetar që i prenë këto lidhje, pra që Mitrovicën t‘ua kthej mitrovicasve. Pati shumë sukses kjo strategji, po ashtu sulmet i orientonim kah PDK e figurat kryesore që nuk kishin bërë asgjë për Mitrovicën, si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Bajram Rexhepi dhe Sami Lushtaku.
Kjo mënyrë e të bërit fushatë ishte me shumë rreziqe, sepse sulmohej partneri në qeverisje qendrore dhe lokale?
Mulaj: Po e vërtetë, madje kishim shumë debate brenda AKR-së për këtë mënyrë të të bërit fushatë, por kisha arrit një marrëveshje me drejtuesit e AKR-së, që fushata të drejtohej sipas ideve të mia. Po ashtu kishte një besim të tepruar, që kjo fushatë nuk do të jetë fituese dhe nuk do t‘i lëkund themelet e koalicionit.
Ju po thoni që në AKR nuk kanë besuar që z.Bahtiri do të jetë fitues?
Mulaj: Jo, të gjithë nuk besonin, pos Fadil Ismajlit. Ky mosbesim i tyre më krijoj hapësirën e duhur për të punuar pothuajse i pavarur.
Po thoni se as dega e AKR-së në Mitrovicë nuk kishte besim në fitore?
Mulaj: Po, ata kishin qeverisë me PDK dhe mbanin ende lidhje, sepse mendonin që ishin e vetmja alternativë për të qeverisur me PDK-në, nëse nuk fitonte Agimi. PDK i joshte me poste shumë nga zyrtarët e AKR-së në Mitrovicë. Por, me Agimin e kuptuam shumë shpejt këtë lojë, prandaj kudo deklaronim, se ne rast humbje të AKR-së, nuk kishte koalicion me PDK-në. Kjo me qëllim që të ndërpritej çdo shpresë për koalicion të mundshëm.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img