Site icon PrishtinaPress

Ish-presidenti Sejdiu: Nuk e pëlqej formulën që kemi nevojë për njohjen e Serbisë

Dialogu me Serbinë është proces i ndjeshëm dhe jashtëzakonisht i komplikuar për Kosovën, madje ka ngecur disa herë për shkak të pengimit nga pala serbe, kështu ka vlerësuar ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Sipas Sejdiut, strategjia e Serbisë është që të pengojë proceset drejt finales për njohje reciproke ndërmjet dy shteteve.

Prandaj sipas tij, udhëheqësit e dialogut duhet të jenë sy qel ndaj Serbisë, në mënyrë që të mos bien në gracë të tyre.

“Është një proces jashtëzakonisht i ndjeshëm dhe deri tash i komplikuar për Kosovën. Kjo ngecje ka rezultuar për shkak të obstruksioneve të vazhdueshme që pala serbe i ka bërë. Ne e dimë se dialogu ka filluar në fazat e mëhershme dhe ka pasur disa nga marrëveshjet që janë nënshkruar dhe ato nuk janë realizuar. Strategjia e Serbisë është që të prolongojë proceset dhe në finale të mos dalë diçka që do të jetë zgjidhje për raportin e relaksit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve”.

“Kosova ka nevojë që të ketë marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë. Unë besoj që edhe qytetarët serb kanë të njëjtin interes sepse është interes rajonal dhe fundja janë edhe kritere të rëndësishme për lëvizje në proceset integruese. Por ajo e bënë këtë lojë e cila praktikisht është e dëmshme edhe për fatin e gjeneratave që vijnë”, tha Sejdiu.

Ai vlerëson se për Kosovën është me rëndësi që të jetë partnerë strategjik për paqen dhe stabilitetin, në mënyrë që të njihet ndërkombëtarisht nga pesë vendet e BE-së.

“Për ne është me rëndësi që të jemi partnerë i rëndësishëm edhe për paqen dhe stabilitetin në këtë aspekt që Kosova të njihet ndërkombëtarisht nga 5 vendet e BE-së që do të ishte qelës i mirë edhe për njohje të tjera që do të mund të vijnë. Ajo që bënë Serbia është vetëm të pengojë këto. Nuk e pëlqej formulën që kemi nevojë për njohjen e Serbisë. Serbia duhet ta njohë Kosovën sikur që edhe Kosova Serbinë”, tha ai.

Ish-presidenti Sejdiu s’e përjashton mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Por ai thotë duhet të sigurohet që ky proces të jetë logjistik, e që nuk e cenon sovranitetin dhe funksionimin e institucioneve të vendit.

“OSBE më herët i ka menaxhuar në qendra të caktuara dhe kjo i bie që është një mekanizëm që praktikisht ua ka ndihmuar qytetarëve serb të Kosovës. E rëndësishme është që në çdo proces që mund të jetë tip i logjistikës i cili nuk cenon interesat dhe sovranitetin e vendit dhe nuk cenon funksionimin e institucioneve të vendit. Por Qeveria duhet ta studiojë më mirë dhe ka informacione më shumë dhe besoj se ka plasuar qëndrimin e vet”.

“Unë nuk them se duhet të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, por unë them se mund të jetë sikur situata e mëhershme në ndonjë qendër që është e monitoruar edhe ndërkombëtarisht, por jo që ata të tentojnë që me këtë të krijojnë njësi zgjedhore në Kosovë dhe institucionet e Kosovës të shndërrohen në trambulinë të veprimeve të këqija që ata dinë të bëjnë”, tha Sejdiu.

Ai thotë se institucionet e vendit duhet t’u dalin ballë manipulimeve që po u bëhen qytetarëve me çmimet e artikujve ushqimor, sepse xhepi i tyre nuk duhet të cenohet.

“Mendoj që institucionet e vendit duhet t’u dalin ballë të gjithë manipulimeve që bëhen. Janë manipulime të ashpra që nuk i duron xhepi i qytetarëve të Kosovës aq më pak që lidhet me artikuj ushqimorë dhe artikuj strategjik. Prandaj them se duhet të ketë kujdes edhe të bëhen rezervat e shtetit dhe e dyta problemi i energjisë që ka goditur qytetarët e Kosovës. Ne nuk jemi të interesuar që xhepi i qytetarit të cenohet”./eo

Exit mobile version