Site icon PrishtinaPress

Ish-politikani zviceran që jetoi me vuajtjet e kosovarëve gjatë vitit 1999

Po ta dëgjonte zemrën, më shpesh do të vinte në Kosovë. Por këmbët i janë lodhur, prandaj rrugën nga Zvicra në Kosovë e bën rrallë. Fjala është për Ueli Leuenberger, ish-politikan nga Zvicra, një mbështetës i madh i shqiptarëve atje dhe në Kosovë.

E tani, në herën e pestë të qëndrimit në Kosovë, kur vendi po feston 25 vjetorin e çlirimit, nuk pati si të mos e vizitonte ekspozitën që risjell mbulimin mediatik nga gazetarët e huaj të luftës së Kosovës.

“Pashë filma, dokumente dhe fotografi të atyre personave që i kam parë çdo natë gjatë lajmeve. Dhe, mu kujtua shumëçka nga koha kur ndaja momentet me kosovarët që nëpërmjet ekranit, po shihnin fshatrat e tyre tek digjeshin. Me kujtohet një gjyshe me një valixhe që ecte përgjatë hekurudhës, duke ikur. Familja e saj në Gjenevë gjatë transmetimit që zgjati 5 sekonda e njohu atë dhe qëndruan gjatë 4 ose 5 ditëve para televizionit, duke i shikuar të gjitha kanalet për të parë përsëri atë”.

“Pas 5 ditësh, ata morën lajme nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar që ajo ishte në Stankovec. Ishte një lehtësim i madh që më në fund kishin lajme për të afërmit e tyre. Situata të tilla kam përjetuar qindra dhe mijëra herë me njerëz të ndarë nga vendi i tyre dhe pa qasje në informacion gjatë luftës”, tha në një rrëfim të tij për RTK-në, Ueli Leuenberger.

Duke jetuar çdo ditë me vuajtjet e shqiptarëve, Leuenberger u bë avokat i madh i tyre, dhe u përfshi aktivisht në ngritjen e çështjes së Kosovës te ndërkombëtarët.

“Isha i bindur, se si në Bosnjë dhe Hercegovinë, edhe në Kosovë do të kishte luftë. Dhe me këmbëngulje po kërkoja ndërhyrje që të ndalohej Millosheviqi. Gjatë konfliktit po kërkonim të gjenim mënyra nga më të ndryshmet për të ndihmuar popullin e Kosovës dhe ushtarët e UÇK-së me ilaçe e çdo gjë tjetër që kishim mundësi”, shtoi ai.

25 vjet pas lufte ish politikani zviceran, pret trysni më të madhe nga BE drejt vendeve që nuk e kanë njohur ende Kosovën shtet.

“Është jashtëzakonisht për të ardhur keq, dhe për sa kohë që këto vende nuk e njohin pavarësinë, për sa kohë që Evropa nuk ushtron më shumë presion mbi Beogradin, mendoj se kjo situatë do të zgjasë ende. Do të dëshiroja që qeveritë dhe populli në Evropë të kërkonin me më vendosmëri njohjen e pavarësisë së Kosovës, që do të ishte një zgjidhje për një paqe të qëndrueshme në rajon”, përfundoi ai.

Nga viti 1993, kur për herë të parë qëndroi në Prishtinë, në një periudhë të errët të historisë së Kosovës, tashmë me krenari thotë se nuk e hoqi emblemën e 25 vjetorit të çlirimit. Atë e mban që nga momenti kur në fillim të javës, zbriti në aeroportin e Prishtinës.

Exit mobile version