Site icon PrishtinaPress

Ish-mjeku i UÇK-së: Me paratë e bisedimeve dikush ble makinë dhe u martua për së dyti

Ish-mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Liri Loshi, ka ngritur çështje të dyshimta për keqpërdorime me paratë e Kosovës gjatë bisedimeve që janë zhvilluar dhe po vazhdojnë me Serbinë.

Ai ka thënë se bisedimet me Serbinë i kanë kushtuar Kosovës më shumë sesa lufta çlirimtare kundër saj.

“Nuk di a e ka llogaritur dikush se sa i kanë kushtuar Kosovës bisedimet me Serbinë? Njëherë bisedimet e Vjenës, pastaj ato të Brukselit. Ajo që di unë është se anëtarët e delegacionit të Kosovës janë paguar nga buxheti i Kosovës për çdo takim që kanë pasur me delegacionin serb, pavarësisht se të njëjtët janë paguar nga ky buxhet edhe për funksionet që kanë ushtruar në Kosovë. Unë mund të gaboj, por besoj fort se Kosovës më shumë i kanë kushtuar financiarisht bisedimet me Serbinë sesa lufta kundër Serbisë. Dëshiroj që dikush të provojë se jam gabim”, ka shkruar ai.

Sipas tij, nga këto bisedime ka njerëz që kanë kursyer mijëra euro. Madje ai thotë se dikush me ato para bleu makinë, banesë, u martua për së dyti.

“Nga këto bisedime dikush ka kursyer në llogaritë e tyre bankare dhjetëra mijëra euro, dikush mbi njëqind mijë euro e dikush ka blerë makinë të shtrenjtë, është martuar për së dyti, ka blerë banesë, apo ka ndërtuar ndonjë kat shtëpie në Prishtinë. Të tillët duan që përsëri ta bëjnë delegacionin e Kosovës dhe duan që ato bisedime të zgjasin pafundësisht”, ka shkruar tutje Loshi.

Kërkesa e tij ndaj deputetëve është që t’ua pamundësojnë këtyre zyrtarëve keqpërdorimet e tilla, transmeton insajderi

“A ka mundësi që deputetët t’ua bëjnë të pamundshme këtyre zyrtarëve të pafytyrë që të pasurohen edhe më tej në fatkeqësinë e Kosovës”, kërkon ai.

“Se fatkeqësia numër një është ta kesh Serbinë kojshi, kurse fatkeqësia numër dy është që bisedimeve me Serbinë t’u prijnë njerëzit që për qëllim kanë jo stabilizimin e raporteve me të, as stabilizimin e shtetit të Kosovës, por vetëm stabilizimin e tyre financiar”, ka përfunduar ai.

Exit mobile version