Site icon PrishtinaPress

Ish-ministrja e Integrimeve Dhurata Hoxha, paralajmëron padi ndaj Haki Abazit e Jeta Xharrës për shpifje

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka paralajmëruar padi ndaj gazetares Jeta Xharra pasi raportoi në portalin ‘kallxo’ se në vitin 2019, Hoxha kishte paguar një firmë franceze  për të promovuar shkëmbimin e territorit si një zgjidhje legjitime për dialogun Kosovë-Serbi.

Hoxha gjithashtu ka paralajmëruar padi edhe ndaj ish-zëvendëskryeministrit, Haki Abazi, për deklarata që ish-ministrja i quan shpifje.

“Pas lajmit të rrejshëm, të publikuar nga mediumet prishtinainsight dhe kallxo.com, me autoren Jeta Xharra dhe deklaratave shpifëse të ish zëvendës kryeministrit, Haki Abazi, moralisht ndihem e obliguar të sqarojë për opinion të vërtetën. Arsyeja e vetme pse kam heshtur deri më tani, është për shkak se për këto shpifje do të padis të gjithë personat që janë marrë me emrin tim dhe kanë denigruar personalitetin tim përmes shpifjeve”, ka shkruar Hoxha.

Hoxha thotë se si ministre për dy mandate, mban përgjegjësi të plotë për aktivitetin ligjor e politik të këtyre institucioneve.

“Akuza se kinse në kohën time, janë shfrytëzuar paratë e taksapaguesve për lobim për ndarjen e Kosovës, jo vetëm që janë shpifje, por janë produkt i një agjende të njerëzve të çmendur, të cilët me çdo kusht po mundohen që të bindin të tjerët se kinse ndarja e Kosovës ka qenë opsion real në diskutimet e nivelit zyrtar”, shprehet ajo.

Ajo thekson se ‘Partia të cilën e përfaqëson PDK, ka qenë partia e vetme që në takime të nivelit të partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës, kishte prezantuar një dokument që e bënte të qartë paprekshmërinë e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës’.

“Jeta Xharra, që ia bën argatin shefit të saj nga shoqëria civile, Haki Abazit, duke keq interpretuar një dokument zyrtar i cili më së paku merret me pretendimet e tyre”, ka shkruar ish-ministrja.

Sipas Hoxhës, dokumenti i publikuar nga Xharra është vetëm një analizë që tregon për perceptimin e shoqërisë franceze për temat politike të brendshme në Kosovë.

“Unë i ftoj të gjithë ta lexojnë dokumentin, cili nuk është asgjë tjetër përpos një analizë që flet për perceptimin e shoqërisë franceze për disa tema politike, lidhur edhe me çështjen e brendshme të Kosovës dhe anasjelltas”, shprehet ajo.

Hoxha më tej ka kërkuar edhe nga kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmanin, që të distancohet nga deklaratat përmes të cilave ka ripërsëritur pretendimet që sipas saj janë shpifje.

“Si zyrtare e lartë e shtetit në disa funksione, kam shërbyer, mbrojtur dhe përfaqësuar me dinjitetin dhe ndërgjegjen më të lartë shtetin e Kosovës, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e saj. Gjithashtu, kërkoj nga Kryetarja e Kuvendit, një kërkim falje dhe distancim nga deklarata e saj publike, duke e ripërsëritur këtë gënjeshtër. Znj. Osmani si ish përkthyese e Presidentit Sejdiu, duhet ta njohë anglishten në atë nivel sa për ta kuptuar se shkrimi i znj. Xharra dhe pretendimet e z. Abazi janë shpifje”, ka shkruar Hoxha në fund. /Telegrafi/

Exit mobile version