-3.6 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Buy now

spot_img

Ish-ministri shqiptar ankohet për kushtet e gjykimit: Hashim Thaçi del me kompjuter, ne me shënime dore

Në orët e mbrëmjes, në Tiranë ka përfunduar seanca për çështjen e sterilizimit në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion.

Gjatë seancës pati debate nga ana e personave të pandehur, të cilët kanë ngritur pretendime në lidhje me provat e prokurorisë.

Fillimisht ka folur ish-zv/ministri i Shëndetësisë, Klodjan Rrjepaj sipas rendit të përcaktuar që në seancën e kaluar që u shty dhe më pas biznesmeni Ilir Rrapaj. Si ish-zyrtari, ashtu edhe investitori ndodhen prej kohësh nën masën e arrestit me burg, teksa nën akuzë në gjendje të lirë për këtë dosje ndiqet ish-ministri Ilir Beqaj, 6 ish-zyrtarë të tjerë dhe biznesmeni (8 gjithsej).

Avokati i ish-ministrit mësohet se gjatë seancës i kërkoi trupës gjykuese që klienti i tij, që ndodhet në paraburgim prej kësaj vere për dosjen tjetër të fondeve të SASPAC, të mbante shishe uji në sallë, praktikë që në fakt ish-zyrtari i lartë socialist e ndoqi edhe gjatë dëshmisë së tij në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë në Kuvend javë më parë.

Ish-ministri u tregua kritik me kushtet e gjykimit dhe logjistikën në sallë, duke bërë krahasime me Gjykatën e Hagës.

“Hashim Thaçi në sallë me kompjuter para, me tavoline dhe afër me avokatin. Ne këtu prapa xhamit, me shënime dore që flasim për tabela të studimit të fizibilitetit, pa tavolinë, pa kompjuter dhe pa pasur mundësinë të kemi afër avokatin”, është shprehur Beqaj, raporton “Shqiptarja”.

Biznesmeni Ilir Rrapaj ka mohuar akuzat e prokurorisë, por ka pranuar njohjen me ish-ministrin e shëndetësisë Ilir Beqaj. Në seancë, pas shumë debatesh mes palëve në përfundim të pandehurit kanë kërkuar pushim të çështjes, ose kthim për hetime në SPAK, por në rast se gjykata vendos kalimin e çështjes për gjykim, të pandehurit kërkuan që të gjykohen me procedurën e gjykimit të shkurtuar.

I vetmi që ka kërkuar gjykim të zakonshëm është ish-ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj. Prokuroria e posaçme u ka qëndruar sërish kërkesave të saj për kalimin e dosjes për gjykim pasi sipas tyre ka prova për të mbështetur akuzën.

Gjykata e posaçme do të shpallë vendimin për këtë çështje në datën 23 dhjetor në orën 9:30. Togat e zeza morën kohë për të shqyrtuar të gjitha pretendimet e ngritura nga palët gjatë zhvillimit të seancave nga të pandehurit dhe mbrojtësit e tyre. Po ashtu për të shqyrtuar edhe provat që ka SPAK për këtë çështje.

Beqaj dëshmoi për gati 8 orë seancën e kaluar në GJKKO, (më 5 Dhjetor) për çështjen e Sterilizimit, ku është i pandehur për shpërdorim të detyrës.

Ish-ministri Beqaj është arrestuar për dosjen e fondeve të SASPAC me urdhër të SPAK-ut në muajin korrik, kur dhe GJKKO e la në burg, kurse për çështjen e Sterilizimit po ndiqet në gjendje të lirë. Në këtë dosje ka 8 persona nën akuzë, mes tyre edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, teksa në muajin Mars të këtij viti SPAK e dërgoi dosjen e Sterilizimit për gjykim. /reporttv

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img