Site icon PrishtinaPress

Ish-ministri: Kosova të mos e shmang dialogun, Veriu s`menaxhohet me polici

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Zenun Pajaziti tha se Kosova nuk duhet t`i shmanget dialogut me Serbinë.

Këtë përgjigje ai e dha për Front Online kur u pyet lidhur me vizitën e emisarëve diplomatikë dhe presionin e tyre karshi themelimit të Asociacionit.

“Mendoj se Kosova nuk duhet t`i shmanget dialogut, zgjidhjes në tavolinë. Asociacioni ka qene obligim i shtetit të Kosovës, i marrë prej kohës kur vendi ynë, Kosova ka nënshkruar marrëveshje, para shpalljes së pavarësisë në Vjenë. Pra njëfarë obligimi edhe para së të nënshkruhet në Kuvendin e Kosovës”.

Ai shpreson që vizita e diplomatëve të ndryshojë gjërat në dialog.

“Shpresojmë që kjo vizitë, të kthejë procesin, për së mbari dhe të mos jetë vizitë e dështuar, siç ka pasë disa herë vizita të tilla, me synime për te arrit ujdi dhe ka pasur ngecje”, theksoi Pajaziti

Pajaziti, që ishte Ministër i Punëve të Brendshme dikur,  lavdëroi aksionin policor në Banjskë më 24 shtator, por i bëri të ditur diçka Qeverisë.

“Policët kanë kryer punë të shkëlqyeshme. Punë të jashtëzakonshme. Veriu s`menaxhohet me polici, vetëm me zgjidhje politike, ku  pala jonë duhet të jemi të përqendruar, të vëmendshëm”, theksoi Pajaziti.

Exit mobile version