Site icon PrishtinaPress

Ish-ministri i Brendshëm: Shtesat për policët obligative, duhet të shkojnë bashkërisht me pagat

Shtesat e pagave u bënë shkak që njësitë elitare të policisë së Kosovës (Njësia Speciale Intervenuese dhe ajo e Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive), të dalin e të protestojnë të mërkurën para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Kërkesat e tyre kishin të bëjnë lidhur me kategorizimin lidhur me rrezikshmërisë në punë, si dhe mospërfshirjen në shtesat e tjera të parapara me ligj.

E përfaqësuesi i këtyre njësive, i cili nuk u identifikua, i bëri thirrje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, që t’i marrë parasysh kërkesat e tyre.

“Jemi unikë në kërkesat tona sepse janë legjitime dhe emergjente. Nuk do të zmbrapsemi në realizimin e tyre. Ftojmë qeverinë që të ndërmarrë hapa konkretë”, tha ai gjatë fjalimit të tij.

E lidhur me protestën e mbajtur të mërkurën, foli edhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa.

Në një intervistë të shkurtër për Klankosova.tv ai tha se qeveria duhet të jetë në shërbim të Policisë.

“Duke ditur se policia ka punë specifike, obligimet ndaj tyre duhet të kryhen me kohë”, deklaroi Mustafa.

Ai tha se nuk ka pasur nevojë të vijë deri tek kjo situatë, duke iu referuar protestës.

“Shtesat janë të obligueshme t’iu paguhen edhe të shkojnë në vijë bashkërisht me pagat”, theksoi Mustafa.

Ish-ministri tha se në krye të MPB-së, tri herë e kishte përgatitur projektin për sigurime shëndetësore dhe jetësore, për Policinë dhe zjarrfikësit.

“Nuk kam mundur ta jetësoj sepse kam pasur pengesa nga Ministria e Financave, edhe pse shuma totale për 2 sigurimet për një vit nuk e ka tejkaluar shumën prej 5 milionë e 500 mijë eurove”.

Tutje, ai tha se kur e kishte marrë detyrën, borxhi i shtetit ndaj policëve dhe zjarrfikësve ishte milionësh, ndërsa shtoi se ka arritur që atë borxh ta kthejë në zero.

“Unë personalisht kur e kam marrë detyrën, borxhi i shtetit ndaj policisë dhe zjarrfikësve e ka tejkaluar shumën prej mbi 9 milionë euro. Kam arritur që t’ua paguaj në tërësi në vijë lineare me paga. Po ashtu t’iu paguhen edhe orët shtesë, ashtu edhe shtesat e tjera si: rrezikshmëria, përvoja e punës dhe beneficionet e tjera”, tha ish-ministri i Brendshëm.

Ai thotë se qeveria paraprake e kishte marrë pushtetin me zero borxhe ndaj policisë së Kosovës dhe të gjitha njësive, “përpos zjarrfikësve që iu kam mbetur pa ua alokuar 900 mijë euro – edhe pse mjetet ishin, procedurat e alokimit nga Ministria e Financave u vonuan dhe s’e di a është kryer obligimi ndaj zjarrfikësve”.

Pas shprehjes së pakënaqësisë lidhur me shtesat e pagave dhe rrezikshmërisë në punë nga Njësia Speciale Intervenuese e policisë dhe ajo për Eksploziv dhe Deminim gjatë ditës së mërkurë, sot do të protestojë edhe Njësia Speciale Operative.

Klan Kosova mëson se protesta e tyre do të bëhet brenda zyrave, për dallim nga dy njësitë e tjera elitare që protestën e bënë para objektit të qeverisë.

Pjesëtarët e këtij njësiti gjatë ditës së sotme nuk do të dalin nga zyrat e tyre. /Klankosova.tv

Exit mobile version