Site icon PrishtinaPress

Ish-ministri Bajram Hasani dhe ish-kryetari i Malishevës Ragip Begaj dënohen me nga dy vite e gjysmë burgim

Gjykata e Prishtinës e ka shpallur fajtor ish-kryetarin e Malishevës, Ragip Begajn, dhe e ka dënuar me burgim prej 2 vite e gjysmë.

Begaj është shpallur fajtor për veprën penale – keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Po ashtu, Gjykata ka shpallur fajtor edhe ish-ministrin Bajram Hasanin dhe e ka dënuar me dy vite e gjysmë burgim.

Me nga dy vite burg janë dënuar Bashkim Krasniqi dhe Malë Krasniqi, të akuzuar gjithashtu për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërsa, Hajdin Berisha, Faton Thaçi, Nazmi Kafexholli dhe Ahmet Rrahmanaj janë liruar nga akuzat.

Këta të pandehur akuzoheshin lidhur me pretendimet e Prokurorisë rreth planeve për ndërtimin e Zonës Ekonomike të Malishevës.

Aktgjykimi u shpall nga kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili.

Përveç dënimit me burgim, Gjykata i ka obliguar të akuzuarit Ragip Begaj, Malë Krasniqi, Bajram Hasani, Bashkim Krasniqi që secili veç e veç t’i paguajnë të gjitha shpenzimet e procedurës penale.

Të njëjtit gjithashtu do të paguajnë secili veç e veç shumën nga 100 euro në emër të paushallit gjyqësor, si dhe edhe nga 100 euro në Fondin e kompensimit të viktimave.

Ndërsa sipas gjyqtarit, Malë Krasniqi nuk është provuar me asnjë provë të vetme se e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet në pikën 3 të aktakuzës.

Exit mobile version