0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Buy now

spot_img

Ish-kryetari i Leposaviqit në seancë gjyqësore thotë se situata në veri mund të përshkallëzohet gjatë vikendit

I akuzuari Dragan Jabllanoviq-ish kryetar i Leposaviqit në gjykim ndaj tij dhe 14 të tjerëve të akuzuar për korrupsion dhe vepra tjera penale, kërkojë nga gjykata që seancat e radhës për këtë rast të caktohen për data më të largëta pasi që sipas tij, situata në veri është e tensionuar dhe pritet që në vikend të tensionohet edhe më tutje.

“Unë ju lutem si trup gjykues që të presim pak ditë sa të kaloj situata në veri, kjo mundet gjatë vikendit edhe të eksaloj, deri në vikend edhe Qeveria e Kosovës do të deklarohet se a e pranon atë marrëveshje apo jo. Më mirë është që jetët tona t’i mbrojmë të presim pak derisa të përmirësohet gjendja në veri”, tha i akuzuari Jabllanoviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, ish-kryetari i Leposaviqit Dragan Jabllanoviq po akuzohet për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq.

Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, po akuzohen për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike

Ndërkaq, gjykimi i ditë së enjte ka dështuar të mbahet në mungesë të akuzuarve Xhemajli Ferizi dhe Haki Haxhiu po ashtu është anuluar seanca e planifikuar për 9 qershor të këtij viti.

Mrojtësi i të akuzuarit Ferizi avokati Ymer Beka dhe mbrojtësi i të akuzuarit Haxhiu, avokati Ahmet Tahiri thanë se ditëve në vijim do t’i bashkëngjisin dokumentacionin për të arsyetuar mungesën e të akuzuarve.

Në mungesë të kushteve ligjore seanca e sotme dështoi, duke u caktuar e radhës me 26 korrik të këtij viti.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 13 shtatorit 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.

I akuzuari Dragan Jabllanoviq akuzohet se e ka organizuar, drejtuar dhe ka mbikëqyr këtë grup ashtu që pas emërimit në pozitën e Kryetarit të Komunës Leposaviq, në Komunë i ka punësuar të pandehurit Aleksandar Kostiq, Aleksandar Ackoviq, Cedomir Timotijeviq, Miroslav Ivanoviq, Boban Milovanoviq dhe Ivan Kadiq.

Po ashtu, akuzohet se me vendimin e 02 qershorit 2015, në mënyrë të kundërligjshme për Drejtor të Prokurimit në Leposaviq e ka caktuar të pandehurin Haxhi Bejta, si dhe të pandehurit Bojan Banoviq dhe Jellica Baraqi, Jabllanoviq akuzohet se i ka caktuar në detyra të ndryshme në procedurën e prokurimit, ashtu që të gjithë, me qëllim që të përfitojnë dobi financiare për personin tjetër, sipas aktit akuzues me dashje i kanë shpërdorur detyrat zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tyre dhe duke mos i përmbush detyrat zyrtare të tyre.

Tutje në aktakuzë, thuhet se si anëtarë të këtij grupi kriminal nga radhët e personave përgjegjës në organizatat private të biznesit dhe atë me të pandehurit Xhemajl Ferizi nga “Projektuesi”, Haki Haxhiu dhe Mehdi Haxhiu nga “Lirigzoni”, Mensur Rama nga “F.N-ING.I”, dhe Nijazi Musliu nga “Eurometali”, akuzohen se kanë shkelur rregullat e veprimtarisë afariste lidhur me përdorimin e pasurisë së dedikuar për disa projekte të Komunës së Leposaviqit si dhe nenin 6 të Ligjit për Prokurim Publik.

Tutje, sipas aktakuzës, i akuzuari Haxhi Bejta akuzohet se me qëllim që t’i eliminoj operatoret tjerë ekonomik, për Kontratën Publike Kornizë “Furnizimi me material ndërtimor dhe ndërtimi i shtëpive dhe objekteve tjera ndërtimore të nevojshme në Komunën e Leposaviqit” me nr. të Prokurimit 641/1S/002/511, me vlerë të parashikuar prej 2 milion e 400 mijë euro, e ka ndryshuar dosjen e tenderit, ashtu që në versionin në gjuhën shqipe i ka larguar 18 pozicione me vlerat më të larta, dhe 12 pozicione të tjera i ka përshkruar ndryshe nga dosja në gjuhën serbe, duke ia mundësuar operatorit ekonomik – konzorciumit “Projektuesi” SHPK & NP “Bislimi” SHPK, me drejtorin, kushëririn e tij- të pandehurin Xhemajl Ferizi, të fitoj tenderin dhe më 30 Korrik 2015 ta nënshkruaj këtë kontrate, për periudhën kohore prej 30.07.2015 deri 30.07.2018.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Jabllanoviq, ka caktuar organ mbikëqyrës për këtë projekt Operatorin Ekonomik “F.N.-ING.I”, me të pandehurin Mensur Rama si menaxher i kompanisë, edhe pse ky biznes në atë kohë fare nuk ka qenë i regjistruar, po është regjistruar një javë më vonë.

Mensur Rama akuzohet se duke e shkelur ligjin ka përpiluar raporte të pavërteta të pranimit të punëve dhe furnizimeve për projekte të kontratës duke konstatuar se punimet kanë përfunduar sipas kontratës deri sa në realitet nuk janë kryer fare apo janë kryer në kundërshtim me normat e ndërtimit.

Ndërsa i akuzuari Aleksandar Ackoviq, akuzohet se në cilësi të Organit Mbikëqyrës për disa projekte, me anëtarët të Komisionit për Pranim teknik, të pandehurit Bojan Banoviq dhe Çedomir Timotijeviq, ndërsa për projekt tjetër, si anëtar i këtij komisionit me të pandehurin Bojan Banoviq dhe të pandehurin Aleksandar Kostiq si kryetar, kanë përpiluar raporte të pavërteta me të cilat i kanë pranuar punimet në terren, edhe pse ato punime nuk i kanë përmbushur standardet dhe nuk kanë qenë të realizuara sipas kontratës.

Po ashtu, edhe i akuzuari Mirosllav Ivanoviq në cilësi të Menaxherit të projektit, akuzohet se vazhdimisht i ka nënshkruar raportet duke vërtetuar gjendjen e cila nuk ka qenë reale, me ç’rast të njëjtit ia kanë mundësuar operatorit ekonomik “Projektuesi” me të pandehurin Xhemajl Ferizi që për projektet “Rregullimi dhe adaptimi i hapësirës në objektin e varrezave në fshatin Koshutice”, “Ndërtimi i depos në Leshak”, “Ndertimi i qendrës sportive në lagjen Trepça.” “Ndertimi i sheshit te lojërave për femijë në rr. Dositej Obradoviq” në mënyrë të kundërligishme të përfitoj dobi pasurore në shumë prej 162,685.31€, si dhe shumën prej 246,028.42 € për projektin “Ndërtimi i pishinës në qytet në Komunën e Leposaviqit”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se për kontratën kornize “Asfaltimi i rrugëve në qytet dhe fshatra në Komunen e Leposaviqit”, me vlerë të parashikuar prej 3 milion euro, me nr. të prokurimit 641/15/001/511 për periudhën 27 Tetor 2015 – 27 Tetor 2018, të nënshkruar me konzorciumin SHPK “Lirigzoni” & NNP “Bislimi” me drejtorin – të pandehurin Mehdi Haxhiu dhe pronar të pandehurin Haki Haxhiu, iu është mundësuar përfitimi në mënyrë të kundërligjshme shuma prej 1,647,244.01 euro.

Kjo sepse, sipas aktit akuzues i pandehuri Aleksandar Ackoviq si Organ Mbikëqyrës, i pandehuri Aleksandar Kostiq, si Kryetar i Komisionit të Pranimit Teknik, me të pandehurit Bojan Banoviq dhe Çedomir Timotijeviq, si anëtarë, për 8 akse rrugore të financuara nga Bashkësia Evropiane dhe për projektin “Ndërtimi i ndriçimit rrugor në Leposaviq, Leshko dhe Soqanicë”, Aleksandar Kostiq si Projekt Menaxher, Aleksandar Ackoviq Organ Mbikëqyrës, si dhe Bojan Banoviq dhe Cedomir Timotijeviq – Komision për Pranim Teknik, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, kanë nënshkruar raporte të pavërteta për punimet tëcilat nuk kanë qenë të realizuara sipas kontratës.

Ndërsa, në aktakuzë thuhet se për kontratën “Furnizimi me pajisje për filtrimin e ujit në pishinat e qendrës sportive në Leposaviq”, me vlerë të parashikuar prej 200,000.00 euro, me afat vetëm dy-ditor të dorëzimit të pajisjeve, të nënshkruar me 20 dhjetor 2016 me konzorciumin “Eurometal” SHPK & “Kruzni Tok”, me drejtorin Nijazi Musliu, atë të njëjtën ditë i pandehuri Jabllanoviq e ka caktuar të pandehurin Ivan Kadiq për Menaxher të projektit, e dy ditë më vonë, me 22 dhjetor 2016, e pandehura Jellica Baraq, si Menaxhere e Prokurimit, sipas urdhrit të të pandehurit Jabllanoviq, e ka përgatitur raportin e pavërtetë sipas të cilit konstatohet se pajisjet janë pranuar dhe propozohet që operatorit ekonomik t’i bëhet pagesa.

Tutje, sipas aktit akuzues, ky raport është prezantuar anëtareve të Komisionit për Inspektimin dhe Pranimin e Pajisjeve – të pandehurve Boban Millovanoviq. Alleksandar Ackoviq dhe Cedomir Timotijeviq, të cilët e kanë nënshkruar, duke i mundësuar operatorit ekonomik “Eurometal”, dhe të pandehurit Nijazi Musliu që më 20 mars 2017, në mënyrë të kundërligjshme në Raiffesen Bank të pranoj shumën prej 163,573.20 euro.

Si dhe i pandehuri Dragan Jabllanoviq, akutohet se me 09 nëntor 2017, në zyrat e Autoritetit Përmbarues “Alea” gjatë seancës dëgjimore, sipas dy kërkesave të Kompanisë “Lirigzoni”, të 26 tetorit 2017, dhe atë njëra për shumën prej 628,990,21 euro dhe tjetra për 2,611,242.00 euro, si dhe sipas kërkesës së Kompanisë “Projektuesi” të 10 tetorit 2017 për pagimin e borxhit të pretenduar në shumë prej 197,100.00 euro, i njëjti ka lidhur marrëveshje me përfaqësuesit e kreditorëve, të pandehurit Haki Haxhiu dhe Xhemajl Ferizi, duke i aprovuar në tërësi të gjitha kërkesat e tyre, edhe pse borxhi nuk ka ekzistuar.

Me këtë i pandehuri Dragan Jabllanoviq po akuzohet se ka kryer veprën penale Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 par. 2 të KPRK lidhur me veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 te KPRK.

Të pandehurit Haxhi Bejta, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Cedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq, akuzohen se e kanë kryer veprën penale Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPRK.

Ndërsa, të pandehurit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, akuzohen se e kanë kryer veprën penale Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike nga neni 290 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.5 të KPRK.

Vepra penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283 paragrafi 1 të KPRK-ë dënohet me gjobë deri në dyqind e pesëdhjetë mijë (250.000) Euro dhe me burgim prej së paku shtatë (7) vjet, ndërsa sipas paragrafit 2 të këtij neni, kjo vepër dënohet me gjobë deri në pesëqind mijë (500.000) Euro dhe me burgim prej së paku dhjetë (10) vjet.

Kurse, vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet, kurse vepra penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290 paragrafi 2 dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img