Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, vlerëson se Bashkimi Evropian duhet ta pezullojë hapjen dhe mbylljen e kapitujve për pranim për Serbinë.
Ajo këtë e ka lidhur me fushatën e fundit të Serbisë, që të mos pranohej aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Nuk ka fare dilemë se Serbia ka shkelur DIREKT pikën 4 të Marrëveshjes së Brukselit duke votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, dhe INDIREKT duke lobuar tek shtetet tjera për të penguar anëtarësimin si psh. tek Hungaria, Spanja, e Rumania, Qipro – të cilat nuk janë lëkundur fare nga qëndrimi i tyre rigjid mosnjohës duke respektuar kërkesën e Serbisë për të respektuar (sipas tyre) “integritetin dhe sovranitetin e Serbisë.” Kjo nuk është e tëra; ju kujtohet se si Serbia jo shumë kohë para se të nënshkruhej Marrëveshja e Brukselit/Ohrit, u dërgoi letra zyrtare shteteve të BE-së për të votuar kundër anëtarësimit të Kosovës dhe asnjëherë nuk u tërhoq formalisht nga kërkesat e saj parashtruar në ato letra”.
Shkelja që ka bërë Serbia, sipas saj, duhet të reflektonte menjëherë në proceset e saj integruese evropiane.
“Kosova po ashtu duhet të angazhohet më tepër në aspektin diplomatik, për të thelluar ndërveprimin me shtetet mosnjohëse të BE-së të cilat edhe vetë e kanë votuar unanimisht planin franko-gjerman (evropian) në dhjetor të vitit të kaluar në Këshillin e Ministrave. Është momenti ideal që konstruktiviteti i Kosovës në Marrëveshjen e Brukselit dhe shkeljet e vazhdueshme të Serbisë të shfrytëzohen maksimalisht në veprimin diplomatik në favor të Republikës së Kosovës, dhe atë jo vetëm brenda BE-së!”.