-0.1 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Buy now

spot_img

Ish-Komandanti i KFOR’it: Shumë më herët duhej të kishte iniciativa për hapjen e Urës së Ibrit

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, javën e kaluar ka miratuar vendimin për hapjen e Urës së Ibrit, e cila është e mbyllur për qarkullim tash e shumë vite.

Për këtë vendim, ish- komandanti gjerman i KFOR’it, Ehard Bühler, në një bisedë për Gazetën Express, ka thënë se është i kuptueshëm dhe legjitim. Gjenerali Bühler ka edhe disa këshilla për çështjen e Urës së Ibrit.

Me propozimin e asamblistes nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Ferati-Doli, të premten Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka marrë vendim që të hapet ura që ndan qytetin e Mitrovicës në dy pjesë.

Për këtë vendim, Gazeta Express ka biseduar me ish komandantin gjerman të KFOR’it, Erhard Bühler. Ai tha se iniciativa për hapjen e urës është dashur të ketë shumë më herët.

“Ura në Mitrovicë është mbyllur për një kohë të gjatë. Duhet të kishte iniciativa për hapjen e urës shumë më herët, për të garantuar lirinë e lëvizjes dhe sundimin e ligjit. Prandaj, vendimin e Kuvendit Parlamentar të Mitrovicës e konsideroj të kuptueshëm dhe legjitim.”

Ai tha se çështja e urës nuk mund të ndahet nga procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, derisa ka edhe një këshillë.

“Në zbatimin e vendimit, këshilla ime është që të mos përsëritet më gabimi, si në vjeshtën e vitit të kaluar, që krijoi pasoja të padëshiruara në zbatimin e qëllimeve legjitime. Këto efekte mund të kenë potencialin për të rrezikuar qëllimin kryesor të normalizimit. Sado e vështirë të jetë, këtu kërkohet durim. Çështja e urës do të zgjidhet natyrshëm kur të arrihet normalizimi.”

Gjenerali Bühler tha se tani e gjithë energjia politike duhet të përdoret në rezultate strategjike e jo në përmirësime taktike.

“Nuk ka nevojë të përplasni kokën pas murit. Pranë saj tashmë është një derë e hapur”, tha ai në fund.

“Ura e Ibrit të hapet sa më shpejtë, qe 24 vjet është simboli më i vrazhdë i Evropës”

Ky vendim është përkrahur nga kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza, i cili tha se kjo është çështje e stërvonuar.

Hamza dje në një përgjigje për Gazetën Express tha se lëvizja e lirë e qytetarëve është e garantuar me Kushtetutë dhe ligjet tjera në fuqi. Ai shtoi se faktorët vendorë dhe ndërkombëtarë duhet “të veprojnë” që ura të jetë e hapur.

I pari i Mitrovicës së Jugut deklaroi se “qe 23-24 vjet Ura e Ibrit është një prej simboleve dhe objekteve që paraqet vrazhdësinë më të madhe jo vetëm në Kosovë por edhe në Evropë”.

“Kjo është çështje e rregulluar me kushtetutë dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës garantohet lëvizja e lirë e gjithë qytetarëve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës dhe me të gjitha ligjet tjera pozitive në fuqi. Çështja e urës është e vonuar, e stërvonuar dhe ka ndikuar në lëvizjen e lirë të qytetarëve në të dy pjesët e qytetit, edhe në pjesën veriore dhe në pjesën jugore. Është imazh i keq për të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë çështje. Normalisht që qëndrimi im është që kjo jo që duhet të hapet, por është dashur të hapet shumë më herët. Dhe të gjithë faktorët përgjegjës dhe relevantë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe faktorin ndërkombëtar dhe KFOR’in, duhet të veprojnë që ura të jetë e hapur, të jetë e lirë, jo veç për këmbësorë por edhe për automjete dhe për gjithçka çka është e dedikuar. Përndryshe që 23-24 vjet kjo është një prej simboleve dhe prej objekteve që realisht e paraqet vrazhdësinë më të madhe jo vetëm në Kosovë por edhe në gjithë Evropën”, tha Hamza për Express.

Lidhur me këtë vendim, Express ka tentuar të marrë përgjigje nga kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, por ai nuk është përgjigjur në telefonatat e redaksisë.

Reagimet tjera për vendimin për hapjen e Urës së Ibrit

Vendimin e asamblistëve të Mitrovicës së Veriut e ka përkrahur Qeveria e Kosovës, duke thënë se është vendim i drejtë dhe i duhur.

“Çfarëdo pengese në lirinë e lëvizjes cenon këtë të drejtë themelore. Prandaj edhe vendimi për heqjen e pengesave të tilla është veprim i drejtë dhe i duhur”, ka thënë Qeveria për RTK.

Por për rihapjen e urës, emisari evropian, Miroslav Lajçak thotë se nuk është koha.

“Ne ende po na u duhet të përballemi me këtë përditë. Teksa flasim, në Mitrovicë ka pasur kërkesë që të hapet ura [Ura e Ibrit]. Atmosfera, dukshëm, nuk është që të ndodh një gjë e tillë”, deklaroi Lajçak, teksa tha se të dyja palët duhet të respektojnë vijat e kuqe të njëra-tjetrës.

Ndërkaq, misioni i KFOR’it ka deklaruar se rihapja e Urës së Ibrit duhet të zgjidhet përmes dialogur politik.

Rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik. Misioni i NATO’s, KFOR, vazhdon të monitoroj zhvillimet lokale dhe qëndron plotësisht i fokusuar në implementimin ditor të mandatit të tij, bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 e vitit 1999, për të siguruar një ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë”, kanë thënë nga KFOR për RTV Dukagjinin.

Në anën tjetër “Lista Serbe” ka paralajmëruar trazira nëse ndodh diçka e tillë. Petar Petkoviq e ka cilësuar si “provokim” të kryeministrit Albin Kurti nè prag të takimit të 2 majit në Bruksel. Sot është raportuar se vendimi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së veriut ëshë dorëzuar në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img