Ish kreu i FSK-së Kadri Kastrati beson se ndërkombëtarët nuk do t’ia kthejnë shpinën Kosovës për themelimin e ushtrisë, pavarësisht se këta të fundit sot shprehen shqetësime për mënyrën se si FSK synohet që të transformohet në ushtri.
Kastrati shprehet i sigurt se përkrahja e ndërkombëtarëve nuk do të mungojë. Ai nuk sheh ndonjë arsye se përse duhet të ndalohet një gjë e tillë.
“Unë mendoj që ndërkombëtarët nuk do të na kthejnë shpinën as Kosovës e as FSK-së, ata gjithmonë kanë qenë me neve. Absolutisht që do të na përkrahin, sepse ne nuk po punojmë asgjë për të keqen e askujt por po punojmë për të mirën tonë dhe të gjithëve”, tha ish kreu i FSK-së, Kastrati, të mërkurën për Express.
Madje ai sqaroi se roli i ushtrisë do të jetë një forcë mbrojtëse, një forcë që siç thotë ai, do të reflektojë stabilitet në Ballkan.
“Forca nuk po punohet për te keqen e askujt, por ajo është një forcë multientike e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe nuk ka arsye pse dikush duhet të jetë kundër. Jemi shtet i pavarur e kemi të drejtën e ndërtimit të ushtrisë”, shtoi ai ndër tjerash.
Ndryshe, kujtojmë se sot kryesia e Kuvendit, projektligjin e dorëzuar nga presidenti Thaçi e ka proceduar për në Qeveri dhe e njëjta pritet të dërgohet edhe në Kuvend që të votohet.